Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu prezantoi sot një pjesë të ekipit mjekësor të Spital Memorial në Fier.

Stafi do të ketë një ekip të përbashkët mjekësor dhe infermieror shqiptaro-turk, ndërkohë që dyert e këtij spitali modern do të hapen të enjten.

“Bëhemi gati me stafin e përbashkët shqiptaro-turk për të hapur Spitalin Memorial të Fierit ditën e enjte, pra me datë 27. Sigurisht do të jetë një hapje graduale, me faza, duke filluar nga shërbimi i urgjencës. Gradualisht fillojmë vëmë në funksion këtë spital, këtë vepër të madhe të premtuar për ofrimin e shërbimeve cilësore në nivel terciar”, tha Manastirliu një ditë më parë.

Spitali Memorial i Fierit do të ofrojë shërbim për qytetarët e tre rajoneve të jugut, për shërbime që deri tani i kanë marrë në QSUT, duke ulur edhe kohën e pritjes për ekzaminimet.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, do të ofrojë shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital do të aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier do të ofrojë shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.