Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Sali Berisha u shpall “non grata” si i përfshirë në korrupsion domethënës. Ish-Kryeministri nuk është emri i parë shqiptar që lakohet publikisht si pjesë e listës së zezë të amerkanëve, por, përveçse është ish-zyrtari më i lartë i kësaj liste është edhe i vetmi në të cilin përmendet fjala “aleatë”.

Në asnjë rast tjetër të bërë publik nga DASH deri më tani, (kujtojmë Vangjush Dakon, Adriatik Llallën dhe Tom Doshin) nuk përfshihet fjala “aleatë”. Te Berisha po. Aty thuhet se me veprimet dhe mosveprimet e tij korruptive, Sali Berisha ka mbrojtur, veç rrethin e ngushtë të familjes, edhe aleatët politikë.

Tani, akuzat e DASH i dijmë! Rrethin e ngushtë familjar të Sali Berishës po. Enigma e vetme që ngelet është se kush janë aleatët për të cilët flasin amerikanët?

Emri i parë që i shkon në mendje kujtdo është ai i Fatmir Mediut. Ish-ministri i Mbrojtjes gjatë shpërthimit të Gërdecit është përfolur e stërfolur për lidhjen “e ngushtë” me ish-eprorin e tij. Mediu u mor nën akuzë pikërisht për Gërdecin, por u shpëtoi akuzave vetëm me procedurë e duke u fshehur pas imunitetit të të zgjedhurit të popullit.

Pas “pafajësisë” proceduriale të Fatmir Mediut dyshimet janë se qëndron vetë Sali Berisha, që në rastin e Gërdecit e lidhin edhe akuzat e përfshirjes së djalit të tij, Shkëlzenit në këtë aferë, që shpërtheu tragjikisht duke marrë jetën e 26 personave në mes të marsit 2008.

Duke e përdorur Berishën (për të mos thënë shantazhuar), Mediu ja doli mbanë që të zgjidhej e rizgjidhej deputet nën siglën e PD-së së Bashës, pa garuar në të vërtetë asnjëherë me siglën e partisë së tij që prej 2013-ës. Berishën e përdori edhe gjatë negociatave me Bashën për përfshirjen në listat e sigurta të PD-së për 25 prillin. Si? Duke postuar një foto me “Doktorin”, të cilit i kishte shkuar në zyrë së bashku me djalin e tij.

Fatmir Mediu u rizgjodh deputet nën siglën e PD-së më 25 prill, por pa e marrë ende imunitetin e deputetit, SPAK njoftoi rihapjen e dosjes në ngarkim të tij.

Kush mund të jetë aleati tjetër? Deri para 2009-ës, Sali Berisha e Ilir Meta ishin armiq të përbetuar. Zgjedhjet e këtij viti u kryqëzuan rrugët. Berisha mori mandatin e dytë, Ilir Meta u rikthye në pushtet, si ministër i Jashtëm dhe zv.Kryeministër.

Dy vite më vonë, i ndjeri Dritan Prifti publikon një video-përgjim, duke akuzuar Ilir Metën si të përfshirë në afera korruptive, duke u kërkuar përqindje kompanive e sipërmarrësve të ndryshëm në këmbim të favoreve të Qeverisë.

Meta u dorëhoq dhe përfundoi në gjykim në Gjykatën e Lartë, ku premtoi se jo vetëm do të merrte pafajësinë, por do ta siguronte atë edhe në mënyrë unanime nga trupa gjykuese. Një ditë para se kjo gjykatë të merrte një vendim, Sali Berisha viziton në shtëpi Ilir Metën. Ditën tjetër Gjykata e Lartë e shpall të pafajshëm.

Shembuj të tjerë kur Berisha ka marrë në mbrojtje aleatët, ose bashkëpunëtorët e tij të lartë në Qeveri ka plotë. Që me vetë Lulzim Bashën për akuzat për korrupsion në Rrugën e Kombit, apo zinxhirin drejtues të Gardës së Republikës pas vrasjes së 4 protestuesve më 21 janar 2011. Bashën e Gardën e mbrojti këtë herë edhe duke quajtur “lavire” Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama dhe “horr” Presidentin Bamir Topi.

Me këtë vendim të DASH petët e byrekut janë hapur dhe për të mësuar aleatët e Berishës, ndoshta duhet pritur edhe pak kohë për një tjetër fletë-rrufe nga përtej Atlantikut./Gazeta Shqip