Kryeprokurori Olsian Çela ka nisur një takim në prokuroritë kryesore të vendit ku këtë herë u ndal në Fier. Çela tha se në fokus të diskutimeve që ka pasur më prokurorët ka qenë hetimi i plotë dhe i shpejtë i krimeve zgjedhore.

Gjatë një prononcimi për mediat, kryeprokurori tha se beson se shumë shpejt prokurorët do të dalin me rezultate.

“Qëllimi i vizitës lidhet me situatën e hetimit të krimeve zgjedhore nga Prokuroria e Fierit. Janë disa takime që po bëhen në disa nga prokuroritë kryesore në lidhje me krimet zgjedhore. Është e rëndësishme që të tregohet kujdes maksimal nga prokurorët për hetimin e plotë e të shpejtë, si dhe për të siguruar transparencë ndaj publikut e medias. Ka pasur një numër të konsideruar çështjesh të hetuara, apo që është marrë tashmë një hetim. Besoj se shumë shpejt do të kemi rezultate, që do të bëhen të ditura publikut. Është e rëndësishme që nga ana e tyre të tregohet transparenca dhe të tregohet një qasje tjetër në raport me median dhe opinionin publik”, u shpreh Çela.

Një tjetër çështje që ka qenë në fokusin e takimi kanë qenë edhe hetimet pasurore dhe evazioni fiskal.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë më hetimet pasurore dhe me evazionin fiskal, funksionimi i një seksioni të posaçëm që Prokuroria e Fierit ka për pastrimin e produkteve të veprës penale dhe evazionit fiskal. Ka rëndësi për rritje të efikasitetit për evazionin qoftë në drejtim të hetimit të parave, por dhe në raport me zbatimin e ligjit anti-mafia. Janë të rëndësishme rezultatet në këtë drejtim, pasi ka shumë kërkesa nga ndërkombëtarët për performancën dhe luftën ndaj pastrimit të parave, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha kryeprokurori.