Ministri Federal i Shëndetësisë Jens Spahn (nga radhët e CDU) tha se gjysma e infeksioneve me korona në Gjermani verën e kaluar erdhën nga vizitat familjare nga migrantët në Ballkan.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama i kundërshton këto deklarata, duke kritikuar ashpër ministrin Federal.

Edi Rama tha për BILD se “është skandal që një ministër gjerman denoncon publikisht Ballkanin dhe kështu gjithashtu zhvlerëson njerëzit me një sfond migrimi“.

Më tej ai shton: “Unë nuk do të lejoj që Shqipëria të portretizohet si një zonë rreziku për udhëtimet e pushimeve, nuk ka shifra për ta provuar këtë“.

Rama shprehet për ministrin Spahn se: “Një ministër gjerman i Shëndetësisë duhet të kujdeset për vaksinimin e popullsisë gjermane dhe të mos zgjojë pakënaqësi stereotipike kundër Ballkanit në mënyrë që të mbrojë një rekord të dukshëm të keq.”

“Ne mësuam nga vera e kaluar. Në atë kohë, udhëtimet jashtë vendit, shpesh vizitat te të afërmit në Turqi dhe Ballkan, shkaktuan rreth 50 përqind të infeksioneve tona të reja në faza. Ne duhet ta parandalojmë këtë këtë vit“- deklaroi Spahn, çka solli reagimin e Ramës.