Të gjithë indikatorët e pandemisë së koronavirusit janë në rënie dhe shumë shpejt do të kthehemi në normalitet. Këtë deklaroi në studion e “Ditari” në A2 CNN epidemiologu Artan Simaku. Sipas tij, sezoni turistik do të jetë pothuajse normal, por nuk duhet humbur vigjilenca.

“Ky do të jetë një sezon pothuajse normal, pasi masat duhet të respektohen në ambientet e mbyllura. Është vaksinuar stafi i zonave turistike dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe për lehtësimin e sezonit të verës. Komiteti i Ekspertëve vendos për masat bazuar në disa indikatorë.

Është një grup faktorësh që merren në konsideratë. Jemi në kohën e duhur për një rishqyrtim të masave nga Komiteti i Ekspertëve bazuar në këtë grup faktorësh. Të gjithë indikatorët janë në rënie.

Për shkak të masave numri i pacientëve është më i ulët, ka rënie të numrit të rasteve fatale dhe rasteve që janë të intubuar dhe atyre që kanë nevojë për terapi intensive. Por duhet thënë që nuk ka vend për neglizhencë, se në persona të caktuar rrezikshmëria mbetet. Do të jemi në normalitet të ri, por duhen mbajtur parasysh masat”.

Vaksinimi masiv i popullatës dhe imuniteti natyral janë për Simakun, dy janë faktorët që kanë ndikuar në zbutjen e pandemisë.

“Janë dy faktorë kryesorë; ritmi i lartë i vaksinimit, në mënyrë të pandërprerë dhe imuniteti natyral i popullatës dhe të gërshetuara të dyja na çojnë drejt imunitetit të tufës që mund të jemi Covid Free, por edhe nëse ka raste, do të jenë të papërfillshme.

Po të kemi parasysh numrin total të vaksinave që kalojë mbi 2.5 milionë doza është sasi e konsiderueshëm me të cilën arrihet plotësisht imuniteti i popullatës dhe mund të themi pa frikë që Shqipëria ka një performancë shumë të mirë në menaxhimin e pandemisë në tërësi”.

Sa i takon efektshmërisë së vaksinave, Simaku theksoi që edhe të gjitha vaksinat kanë një efektshmëri të lartë dhe japin mbrojtje shumë të lartë ndaj Covid-19.

“Të gjitha vaksinat kanë një efektshmëri të lartë dhe japin mbrojtje shumë të lartë ndaj Covid 19 dhe nuk ka asnjë lloj hezitimi dhe nga popullata vaksinimi ka qenë i mirëpritur dhe nuk ka pasur fenomene anësore.

Studimet janë në ecurinë e tyre dhe do t’ju njoftojmë për efektshmërinë, po në të gjitha shtetet ku janë aplikuar efektshmëria është tepër e lartë si Sinovac, që ka qenë e debatuar, arrin 90% në vendet ku është aplikuar. Vaksinimi është i mirëpritur nga të gjitha grupmoshat”.