Drejtori i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe foli sot për kolaudimin e automjeteve, proces ky i bllokuar që prej muajit janar të këtij viti, pas kalimit nga kompania koncesionare në shtet.

Sipas kreut të DPSHTRR, kolaudimi do të jetë më cilësor. Ai tha se të gjitha mjetet e parregullta janë fotografuar dhe janë futur në një “listë të zezë”. Gonxhe shtoi se kolaudimi nuk do të jetë aq i thjeshtë si dikur për t’u bërë, dhe standardet që do të ndiqen janë të njëjta me ato të vendeve më të zhvilluara.

“Kolaudimi kërkon kohë për t’u bërë me cilësi. Shërbimi do të jetë shumë më cilësor. Nuk do të ketë më makina me stopa të thyera në rrugë. Që prej muajit tetor ne po filmojmë dhe janë fotografuar të gjitha mjetet e parregullta në rrugë nga ekspertët tanë të taskforcës rrugore dhe policia. Janë të vendosura të gjitha në një sistem”, tha Gonxhja.

Tashmë, tha ai, kontrolli i mjeteve do të jetë i disafishtë.

“Kolaudimi në vetvete do të ketë katër grupe. Dy do të jenë të dedikuara për qendrat e kontrollit teknik, do të kontrollojmë veten tonë. Dy të tjerat do të jenë në lëvizje, në mënyrë të papritur me short dhe me risk. Janë metoda që përdoren ne vendet në zhvillim dhe të ato te zhvilluara. Kolaudimi do të jetë shumë herë kontroll më i rreptë, do të jetë më i vështirë për ta kaluar me lekë dhe me miq. Për këtë arsye, i japim një besim qytetarëve që të rrisin dijet e tyre. Duhet të jenë të kujdesshëm me automjetin”, tha Gonxhe.