Jurgen Klopp, trajneri i Liverpoolit, ka mbrojtur Ole Gunnar Solskjaerin, që u kritikua pas humbjes mbrëmë nga Leicester City, për shkak se ndërroi pothuajse gjithë 11-shen startuese. Orari i ngjeshur ditëve të fundit për “Djajtë e Kuq” shtyri që Solskjaer t’i pushojë ata që e dërguan Unitedin deri në finale të Europa League dhe të luajë me rezervista.

Ai u kritikua që bëri aq shumë rrotacione, por Klopp i ka dal në mbrojtje duke thënë se do të vepronte njëjtë. Madje, sipas Klopp, ata që duhen të fajësohen janë ata që nuk kujdesen për futbollistët dhe të bëjnë një kalendar të tillë.

“Formacioni i Manchester United ishte ai që unë prisja. Ata luajnë të dielën, të martën dhe të enjten. Ky është një krim. Nuk është faji i Ole dhe i lojtarë të tij. Edhe unë do të kisha bërë të njëjtën gjë”, ka thënë Klopp mes të tjerash në konferencë.