Alban Ramosaj është shpallur fitues i festivalit “Kënga Magjike 2021” me këngën e tij “Thikat e Mia”. Këngëtari jo vetëm që ofroi atmosferë të mrekullueshme më këngën, por mori vëmendje edhe me paraqitjen skenike.

Mes lotësh, Alban Ramosaj tha se e kishte menduar këtë moment dhe nuk mund ta besonte që ishte bërë realitet. “O mam e fitova… faleminderit të gjithëve! E kam menduar këtë moment dhe nuk po më besohet akoma, nuk kam fjalë. Faleminderit nga shpirti, nga zemra, më rikujtuat arsyen përse bëj këtë që bëj. Ju falenderoj nga shpirti edhe njëherë. Ndihem më i vlerësuar se kurrë, jam pa fjalë. ”

Ndryshe nga edicionet e kaluara, “Kënga Magjike” këtë vit kishte vetëm 3 çmime: Best New Artist, Best International Artist dhe çmimin e madh.

Çmimi Best Neë Artist këtë vit shkoi për grupin Urban Band. Ndërsa çmimin Best International Artist e rrëmbeu artistja nga Gjeorgjia, Nutsa.

Sistemi i votimit në Kënga Magjike ishte i ndarë në tre pjesë. Artistët votuan për njëri-tjetrin, po ashtu edhe publiku votoi për të preferuarin e tij dhe vota e jurisë e përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Herën e fundit që u mbajt Kënga Magjike, në vitin 2019, fituese u shpall Eneda Tarifa me këngën “Ma Zgjat Dorën”.