Presidenti i Republikës Ilir Meta, për herë të parë zyrtarisht ka reazguar përmes dokumenteve në lidhje me kërkesën e PS për shkarkimin e tij nga posti.

Në parashtrimin e tij prej 13 faqesh, dërguar në Komisionin e Ligjeve Ilir Meta paraqiti asgjë të re, përpos një përmbledhje të deklaratave të tij herë pas herë para mediave para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore.

Sipas shkresës së tij drejtuar Komisionit Parlamentar të Ligjeve “e gjithë veprimtaria parlamentare e Kuvendit, prej më shumë se dy vitesh tashmë, përpiqet të godasë veprimtarinë dhe aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës, që për një kohë të gjatë ka qënë dhe mbetet i vetmi institucion kushtetues legjitim dhe i pa kapur nga partia në pushtet.

Në këto përpjekje të dëshpëruara të këtij Kuvendi ilegjitim, ky i fundit ka vijuar të përfshihet nëpër procese fiktive, të pambështetura në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuara verbërisht politikisht”.

Sipas kreut të shtetit, kjo nismë e Kuvendit njëpartiak, është keqpërdorim i veprimtarisë ligjvënëse, si një vegël e rradhës e partisë shtet, për të zbehur vëmendjen nga kërkesat e Presidentit të Republikës, opozitës, dhe organizatave ndërkombëtare me integritet, për zbardhjen e veprimeve kriminale të kryera nga partia shtet për manipulimin e procesit zgjedhor të zhvilluar në 25 prill.

Por, në provat që mazhoranca ka grumbulluar mund të konkludohet që Presidenti të përfundojë edhe në ndjekje penale.

Paralajmërimet janë bërë edhe nga kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla apo deputeti Alket Hyseni, të cilët janë shprehur se përtej shkeljes së Kushtetutës mund të ketë dhe vepra penale që mund të ndiqen nga drejtësia.

Mazhoranca ka grumbulluar 115 prova që do të përdoren për të kërkuar në Kuvend, shkarkimin e Metës.

Janë 63 deklarata të bëra nga Presidenti në media dhe rrjete sociale, si dhe 52 lajme që kanë publikuar mediat, duke iu referuar retorikës së ashpër të Metës.

Janë deklaratat e njohura për prerje gjymtyrësh, deklaratat ku kërcënohen policët, gjyqtarët e prokurorët, deklaratat ku nxit dhunë, deklaratat ku bën thirrje për luftë, deklaratat ku thotë rrembeni kosat e sfurqet e plot të tjera.

“Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, sipas proçedurës së parashikuar në nenin 90, pika 2 dhe në nocionin “krim i rëndë” hyn në radhë të parë krimi i tradhëtisë ndaj atdheut.

Mazhoranca, thotë se Meta e ka shkelur në vijimësi Kushtetutën.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla, shprehet i bindur se provat janë aq kokëforta dhe vërtetojnë se Meta e ka shkelur Kushtetutën, ndaj duhet të shkarkohet.

“Kemi pasur edhe një Rezolutë të mëparshme që i kërkonim Presidentit të rikthehej në binarët e Kushtetutës. Presidenti nuk e ka respektuar këtë rezolutë të vitit 2019 dhe ka vijuar me shkeljen e Kushtetutës. Ndaj Kuvendi do të shprehet me vendim për këtë. Unë besoj se Kuvendi aktual e ka sovranitetin për ta shqyrtuar këtë proces”, ka thënë Balla së fundmi.

Nëse Meta do të shkarkohet, do të jetë SPAK-u që do të hapë dyert për të, pasi ai do të bëhet subjekt i organeve të drejtësisë.

Aktualisht, Meta ka imunitet si President, por nëse shkarkohet nga detyra ai “zhvishet” nga ky privilegj dhe socialistët e kanë shumë të lehtë për ta paditur atë në SPAK, për thirrjet për kaos dhe dhunë. Pasi me shkarkimin e tij, bie dhe imuniteti, duke ua lënë kështu duart e zgjidhura prokurorëve të SPAK-ut, për të hetuar Metën.

Thirrjet për kryengritje janë të dënueshme me Ligj dhe për këtë arsye, në këtë pikë përfshihen organet e drejtësisë.

Kodi penal shprehet qartë për nxitjen e dhunës dhe thirrjen për dhunë për përmbysjen e rendit kushtetues. Janë dy vepra penale. Njëra shkon nga gjobë deri në 3 vjet, tjetra nga 10-15 vite burg.

Më konkretisht, Neni 221 i Kodit Penal- Kryengritja, thotë se “Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo

çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve, grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve, krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet.

Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme dënohet me burgim të përjetshëm”.

Ndërkohë që sipas nenit 222 të Kodit Penal, “Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës, thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”.

Në të njejtën gjatësi vale është dhe neni 223 i Kodit Penal, sipas të cilit “Thirrjet publike për veprime të dhunshme, thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.

Pra nëse i bashkon të gjitha këto dënime, nëse vertetohet se ka pasu shkelja nga ana e kreut të shtetit, atëherë Ilir Meta përballet me dënime të gjata.

I vetmi nen që e lehtëson Ilir Metën është shpallja e kryerjes së vepres penale, në gjendje të dehur. Sipas nenit 18 të Kodit Penal-Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur, “Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën penale në gjendje të dehur.

Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë uljen e ekuilibrit mendor, kjo rrethanë mbahet parasysh për zbutjen e dënimit ndaj tij.

Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale, kjo rrethanë mbahet parasysh për rëndimin e dënimit.

Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën efektin e narkotikëve apo stimulantëve të tjerë”.

Nenet e Kodit Penal që penalizojnë Metën:

Neni 18

Kryerja e veprës penale në gjendje të dehur

Nuk përjashtohet nga përgjegjësia personi që ka kryer veprën penale në gjendje të dehur.

Kur dehja është shkaktuar në rrethana të rastit dhe ka sjellë uljen e ekuilibrit mendor, kjo rrethanë mbahet parasysh për zbutjen e dënimit ndaj tij.

Kur dehja është bërë me paramendim për të kryer veprën penale, kjo rrethanë mbahet parasysh për rëndimin e dënimit.

Rregullat e mësipërme zbatohen edhe kur vepra penale kryhet nën efektin e narkotikëve apo stimulantëve të tjerë.

Neni 221

Kryengritja

(Ndryshuar paragrafi II, me ligjin nr. 8733, datë 24.1.2001)

Pjesëmarrja në veprime masive të dhunshme, si vendosje pengesash

apo barrikadash për të ndalur forcat e rendit, rezistenca me armë apo

çarmatosja e tyre, pushtimi me forcë i ndërtesave, kryerja e plaçkitjeve,

grumbullimi apo vënia në dispozicion e armëve, municioneve dhe njerëzve,

krijimi i lehtësirave në favor të kryengritësve, të bëra për të përmbysur

rendin kushtetues, dënohen më burgim nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet

e pesë vjet.

Marrja pjesë si udhëheqës apo organizator në veprimet e mësipërme

dënohet me burgim të përjetshëm.

Neni 222

Thirrjet për armatosje ose marrja pa të drejtë e komandës

Thirrjet për armatosje kundër rendit kushtetues, krijimi apo organizimi i forcave të armatosura në kundërshtim me ligjin, marrja pa të drejtë e komandës së forcave të armatosura për të kryer veprime luftarake, me qëllim për t’iu kundërvënë rendit kushtetues, dënohen me burgim nga

pesë gjer në dhjetë vjet.

Neni 223

Thirrjet publike për veprime të dhunshme Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet./Tema