Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, përshëndeti konferencën e gjashtë shkencore ndërkombëtare “Fenomenet ekstreme të natyrës dhe çështjet e sigurisë” e cila u mbajt sot në Akademinë e Sigurisë, u mbajt konferenca e gjashtë shkencore ndërkombëtare “Fenomenet ekstreme të natyrës dhe çështjet e sigurisë”.

Në fjalën e saj, Hysi u shprehu vlerësimet për stafin e Akademisë së Sigurisë në drejtim të përkushtimit dhe kërkimeve shkencore për tematika të rëndësishme.

Ndryshimet klimaterike, Hysi i konsideroi si kërcënime të sigurisë globale dhe kombëtare dhe se në këtë drejtim studimet shkencore nga ekspertë dhe institucione të pavarura merrnin rëndësi të madhe.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit vuri theksin më tej te fakti se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik në një mjedis të qëndrueshëm është edhe angazhim i shtetit shqiptar në kuadër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030.

Po ashtu, Hysi u ndal te rasti i tërmeteve të shtatorit dhe të 26 nëntorit, si edhe te pandemia globale, të cilat nxorën në pah një sërë problematikash që lidheshin me kuadrin ligjor dhe nënligjor.

Hysi shprehu bindjen se rreziqet dhe kërcënimet nga fenomenet natyrore mund të menaxhohen, pasojat e tyre mund të ulen dhe në shumë raste mund të parandalohen dhe se në këtë drejtim Kuvendi mund të luajë rolin e tij përmes: ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, miratimit të buxheteve të mjaftueshme për mbrojtjen civile, informimit të publikut dhe komuniteteve të rrezikuara, etj.

Në vijim, Hysi shtoi po ashtu se, “sistemi i drejtësisë penale dhe dhënia fund e pandëshkueshmërisë ndaj abuzimit me zhvillimin dhe kontrollin e territorit dhe supervizimin e investimeve ose kur institucionet nuk ndërmarrin masa për investimet në kohë për mbrojtjen civile ose kur abuzohet me detyrën do të ndikojnë në zvogëlimin e riskut nga fenomenet natyrore”.

Në përfundim të fjalës së saj, Hysi theksoi edhe rëndësinë e përmirësimit të kurrikulave të arsimit për edukimin mbi mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin miqësor dhe të qëndrueshëm të tij, dhe për fushën e mbrojtjes civile.