Nga Alfred Peza

Pasi kanë kaluar tri javë nga zgjedhjet e 25 prillit, të gjitha palët janë pozicionuar, duke marë qëndrim të qartë për rezultatin e procesit. Fituesit festuan pa triumfalizëm duke nisur pa humbur kohë, punën për tu riogranizuar për sfidat e qeverisjes deri në 2025 dhe zgjedhjet e radhës, ato lokale të vitit 2023.

Humbësit janë ndarë në pro dhe kundër pranimit të rezultatit, por pa e uruar askush deri më sot me gojën plot, fituesin. I vetmi që po flet deri tani vetëm me heshtjen e tij, është lideri “de facto” i opozitës, Sali Berisha. Kjo ua bën edhe më të rëndë gjëmën për shkak se heshtja e thellë, është lexuar si sinjal i fortë në mbrojtje të Lulzim Bashës, i cili konsiderohet gjerësisht si shkaktarit kryesor i humbjes së tyre.

Është e kuptueshme që humbësit e kanë të vështirë ta kapërdijnë rezultatin. Asnjë grupim politik nuk ka qëndruar deri më sot, në këto 30 vite të pluralizmit, për 12 vite me radhë në opozitë. Me shumë dhimbje shumë prej tyre kanë nisur të pajtohen me realitetin. Liderët e partive të vogla aleate me PD dhe LSI, ose e kanë pranuar humbjen në heshtje, ose publikisht siç ka qenë rasti i Agron Dukës.

Monika Kryemadhi i kërkoi falje live Ilir Metës për djegien e mandateve të deputetëve më 2019, një akt që e katandisi LSI, me vetëm 4 ndenjëse në Parlamentin e ri. Megjithëse po përpëliten në rrugë proceduriale, për të ankimuar rezultatet atje ku nuk fituan mandat për pak vota, fakti që Kryetarja e partisë ka nisur pushimet përtej oqeanit dëshmon se janë pajtuar me fatin.

Ndërsa brenda PD, tani ka qartazi dy kampe të kundërta: Njëra që është në mbrojtje të Lulzim Bashës, duke mos e konsideruar atë shkaktar të humbjes, por viktimë të Edi Ramës e PS. Ndërsa grupi tjetër, e ka drejtuar gishtin qartazi mbi të, si njeriun që duhet të mari përgjegjësitë e plota të humbjes, duke u larguar për ti hapur rrugën një procesi riorganizimi të thellë opozitar nën drejtimin e një kryetari të ri.

Për Bujar Nishanin, Arben Ristanin, Fatbardh Kadillin, Arben Imamin, Edith Harxhin, Endi Hoxhën, Endira Bushatin, Ibsen Elezin, Edvin Kullurin, Bislim Ahmetajn, Pirro Ahmetajn, Fatos Hoxhën e shumë të tjerë, rikthimi i opozitës në pushtet, nis nga largimi i Lulzim Bashës. Ky pozicionim e ka rritur praninë e tyre mediatike, duke i bërë të duken politikanë më simpatikë e normalë, sesa gjatë periudhave kur nuk kishin dalë hapur kundër lidershipit zyrtar.

I vetmi që vazhdon të heshtë, në kulmin e këtij debati pro e kundër Lulzim Bashës, mbetet lideri historik i PD. Njeriu që poston me dhjetra reagime çdo ditë në rrjetet sociale, deri tek banalitetet më absurde, e ka mbyllur gojën. Nuk flet. Bën sikur nuk sheh. Bën sikur nuk e ka mësuar ende, lajmin për humbjen historike të PD që ai drejton në prapaskenë. Është një heshtje ulëritëse. Shurdhuese. Është heshtja vetëakuzuese e Sali Berishës!

Kjo e ka rritur vetsigurinë e Lulzim Bashës, duke e inkurajuar që të mbarojë punë sa më shpejt me farsën e procesit të rizgjedhjes në krye të partisë, për një mandat të ri 4 vjeçar. Nga korriku që e përcakton Statuti i PD, ai e afroi votimin, më 13 qershor. Ndërkohë sfidantët dhe kundërshtarët e tij, nuk kanë as kohë, as mundësi teorike e instrumentat e duhura praktike, që ta kunkurojnë denjësisht e realisht.

Dhimbja e humbjes bëhet më epike për opozitën, kur mendon se ata që kanë dalë kundër Lulzim Bashës, nuk kanë këllqe as të flasin një fjalë kundër Sali Berishës. E shumta dikush ka thënë se ai e ka mbyllur tashmë ciklin e tij politik. Më naivët po kërkojnë prej tij që të thyej kodin e heshtjes, a thua se do e bënte pro tyre. Më pesimistët që fitojnë gjithmonë në të tilla raste, sepse nuk zhgënjehen kurrë në fund, as që e kanë zënë me gojë emrin e tij.

Pavarësisht të gjithave, habia është se palët ndejnë sidoqoftë ende nevojë jetike, për fjalën e Sali Berishës. Për qëndrimin e tij. Deklaratat e tij. Pozicionimin e tij të qartë e të prerë pro ose kundër Lulzim Bashës. Ka madje nga ato që shkojnë akoma dhe më larg, duke kërkuar që ai të dali publikisht, e tia le stafetën dikujt tjetër meqë Lulzim Basha dështoi. Duke besuar ose ëndërruar, se stafetmbajtësi i radhës, do jenë ata vetë!

Harrojnë se si “Paraardhësi” ashtu edhe “Pasaardhësi” në krye të PD, janë të dënuar nga historia e tyre e përbashkët e këtyre 15-16 viteve, për të qenë në simbiozë të përjetëshme politike me njëri- tjetrin. Ndaj të pyesësh sot nëse Saliu po e mban Lulin apo pse Luli nuk shkëputet dot nga Saliu, është si ti përgjigjesh pyetjes së vjetër sa vetë bota: Veza, pulën? Apo pula, vezën?!