Drejtori i përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, (DPSHTRR) Blendi Gonxhja u shpreh se “shërbimi i kontrollit teknik të automjeteve nisë në 31 maj të këtij viti, fillimisht me mjetet e transporti të mallrave e më pas me mjetet e tjera”. Gjatë një interviste televizive, Gonxhja theksoi se “qytetarët për shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve, duhet të bëjnë rezervimin në portalin e-Albania, ndërkohë që në faqen zyrtare të DPSHTRR është publikuar udhëzimi i plotë për çdo hap të këtij procesi”. Ai siguroi se me kthimin e shërbimit të kontrollit teknik nën administrimin e DPSHTRR, qytetarët do të marrin shërbim në kushte më të mira. “Jemi bërë gati për rihapjen e këtij shërbimi dhe do të bëjmë shtesë shërbimi në drejtoritë rajonale të Durrësit dhe të Tiranës. Ne kemi nisur punën, me qëllim që në fund të verës të të ofrojmë shërbim optimal. Kolaudimi nis me automjetet e transportit të mallrave”- tha Gonxhja.

Sipas tij, çdo certifikatë e skaduar, favorizohet me plus dymbëdhjetë muaj. “Çdo certifikatë e skaduar, pasi kolaudimi ka qenë i mbyllur, presupozohet se nuk ka qenë faji i qytetarit dhe favorizohet me plus dymbëdhjetë muaj. Edhe nëse ka marrë vulë për 1 muaj, disa muaj, ai përfiton 12 muaj mbi datën e skadencës që ka në mjet”- u shpreh ai, ndërsa theksoi se, “çmimi i shërbimit nuk ndryshon, madje ajo vlerë që qytetarët e paguanin çdo vit, tanimë do të paguajnë të njëjtën vlerë, një herë në dy vjet”.

Gonxhe shpjegoi se, personat që kanë blerë një automjet të ri, do të njoftohet sipas udhëzimeve që do dalin për kryerjen e shërbimit të kontrollit të mjetit. Por personi duhet të rezervojë online. “Deri në ditën që do ketë rezervimin, ai mund të lëvizë, e ne do jemi në kontakt me Policinë e Shtetit, për lëvizjet”- tha ai.

Gonxhe i bëri apel drejtuesve të mjeteve të ndërgjegjësohen, për respektimin e kushtet teknike të mjetit që siç tha ai, “duhet të kthehet në kulturën tonë automobilistike”, ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë, edhe për naftën e keqe. “Një disiplinë më e madhe e shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve shton të ardhurat tona. Taksat vjetore të mjeteve duhet të paguhen rregullisht në afatet ekzistuese, pranë drejtorive rajonale e nën zyrave të DPSHTRR ose përmes e-Albania online”- tha ai.