Ministrat e Jashtëm dhe të Zhvillimit të G7 dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, kanë dalë në një deklaratë të përbashkët ku rol qendror në diskutime kishte edhe situata në Ballkanin Perëndimor, ku ministrat shprehën edhe njëherë vendosmërinë e tyre për të ndihmuar vendet në rrugën e tyre të integrimit.

”Ne mbështesim hapjen e negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në deklaratën e ministrave të G7.

Ministrat në fjalën e tyre kanë thekuar rëndësinë e ndërmarrjes së reformave të nevojshme për sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, financave të paligjshme dhe korrupsionit. Ndërkohë që është vlerësuar edhe Minishengeni ballkanik.

“Ne mbështesim progresin e mëtejshëm në bashkëpunimin rajonal veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Procesit të Berlinit.”

Për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ministrat kanë theksuar nevojën e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE dhe kanë reaguar kundër çdo teorie për ri përcaktim të kufijve.

“Spekulimet e pajustifikuara rreth ndryshimeve të kufijve në bazë të etnisë nuk është zgjidhje për sfidat me të cilat përballet rajoni. Ndryshime të tilla do të përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale”, thuhet në deklaratën e ministrave.

Ministrat e G7 u takuan dje, ku diskutuan për përballimin e sfidave në rritje në botë, ruajtjen e vlerave demokratike, respektimin e marrëveshjeve klimaterike, luftimin e varfërisë dhe mposhtjen e pandemisë.