Dy investigime të Report Tv mbi korrupsionin madhor të Familjes Berisha dhe pastrimin e dyshuar të parave përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kanë vënë lëvizje SPAK-un.

Për herë të parë, Prokuroria e Posaçme po heton lëvizjen e parave të Shkëlzenit për ngritjen e fabrikës së përpunimit të boronicave në Gërdec, kamufluar me një kredi 1.8 milionë euro, e dyshuar si fiktive. I gjithë investimi shkon mbi 3.5 milionë euro, vlerë e cila nxjerrë zbuluar Shkëlzenin, edhe pse në lojë ka futur një oligark, i cili po e financon me kontrata fiktive si kthim nderi ndaj Berishës, për favorizimet kur ishte në pushtet.

SPAK po heton ndërkohë edhe historinë e rrëmbimit të pronës shtetërore ish-Klubi Partizani nga Sali Berisha, duke e kaluar në emrin e dhëndrit. Mbi pronën e grabitur falë vjehrrit, dhëndri Jamarbër Malltezi ka ngritur 18 kulla me vlerë dhjetëra miliona euro, me burim të pajustifikuar.

Investigimet e plota dhe të thelluara kanë konfirmuar se në xhepat e Argitës dhe Shkëlzenit kanë shkuar paratë e aferave të Sali Berishës me pasuritë publike, gjatë pushtetit të tij 2005-2013, me përfshirjen e klientëve të ndryshëm shqiptarë dhe serbë. Klientët kanë marrë favore nga qeveria Berisha, ndërsa në këmbim kanë sajuar kontrata duke u dhënë para Shëlzenit dhe Argitës.

Për herë të parë Sali Berisha ndien pafuqinë e tij, pasi e sheh veten subjekt të drejtësisë së re, të cilën e ka mallkuar dhe luftuar prej 6 vitesh, me në krah aleatin e tij, Ilir Metën.

Frika nga veprimi i SPAK, rreziku i konfiskimit pasurive të paligjshme në emër të fëmijëve, arrestimi i mundshëm i Shkëlzenit, Jamabrit dhe Argitës për pastrim parash, mashtrim me pasurinë, falsifikime, korrupsion etj., e ka shtyrë Berishën të mbajë fort Bashën në krye të PD dhe të marrë në mbrojtje Ilir Metën, duke u pozicionuar kundër shkarkimit të tij.

Me thellimin e hetimeve dhe tërheqjen në dritë të fijeve të pasurimit të Shkëlzenit, Argitës dhe Jamarbrit, ndaj SPAK pritet të nisë një sulm i egër nga mediat në patronazhin e Familjes Berisha. Kështu u veprua edhe pas hetimeve për Gërdecin dhe 21 Janarin, por tashmë rrethanat kanë ndryshuar. Parashikohet një verë me ethe dhe më pas një vjeshtë me atake paniku për Familjen Berisha.