Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se Turqia do të eksportojë mjete ajrore pa pilot (UAF) në Poloni, për herë të parë në historinë e saj, për një shitje të tillë në një vend anëtar të NATO-s dhe Bashkimit Europian.

“Me hapat që kemi ndërmarrë në 19 vitet e fundit në industrinë e mbrojtjes, ne jo vetëm që kemi mohuar vitet e neglizhencës, por po ashtu e kemi çuar vendin tonë në ligën e gjigantëve në këtë fushë”, theksoi presidenti Erdogan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij polak, Andrzej Duda, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, njoftoi se vendi i tij do të blejë 24 dronë të tipit ”Bayraktar TB2” nga Turqia.

Në konferencën për media me homologun e tij polak, presidenti Erdogan theksoi se Turqia dhe Polonia po “ecin në mënyrë të vendosur” drejt arritjes së synimit të tyre prej 10 miliardë dollarësh në vëllimin e tregtisë dypalëshe.

“Turqia, në kuadër të misionit të NATO-s, ‘Patrullimit Ajror të Baltikut’, së shpejti do të vendosë avionët e saj ‘F-16’ në Poloni”, shtoi Erdogan, duke përshëndetur dërgimin e avionëve të patrullës detare polake dhe misioneve ushtarake në bazën ajrore ”Incirlik” në Turqinë Jugore nën masat e sigurisë së NATO-s të përshtatura në Ankara.

“Turqia është aleati më i fuqishëm i Polonisë në këtë pjesë të botës dhe falënderoi presidentin Erdogan për pilotët turq që mbrojnë qiellin”, theksoi presidenti Duda.

“Unë besoj se si pjesë e kornizës së NATO-s, ne mund të parandalojmë kërcënimet ndaj të dy vendeve nga brenda dhe jashtë vendit”, shtoi Duda.

Para konferencës së përbashkët për media, zyrtarë të lartë të dy vendeve nënshkruan marrëveshje në fushën e mbrojtjes, bujqësisë, turizmit dhe sporteve.

Droni i tipi ”Bayraktar TB2” hyri në inventarin e ushtrisë turke në vitin 2014 dhe aktualisht përdoret nga disa vende të tjera, përfshirë nga Ukraina, Katari dhe Azerbajxhani.

Turqia ka përdorur dronët e saj në operacionet ushtarake ndërkufitare dhe kundër-terroriste, të tilla si ”Mburoja e Eufratit”, ”Dega e Ullirit” dhe ”Burimi i Paqes” për të çliruar kufirin e saj me Sirinë nga entitetet terroriste./