Nga Ylli Pata

Ka një fenomen tashmë 30 vjeçar në Shqipëri, që prej rënies së komunizmit. Dalja e një fluksi të madh “historianësh” që u sulën në këtë lëmi, të politizuar dhe keqtrajtuar nga komunizmi, dhe nisën të sjellin “dokumente” e “dëshmi” për të ndryshuar totalisht historinë.

Madje dolën në skenë edhe “historianë” të fantaksur, që kanë shkruar edhe libra, ku paraqisnin ngjarje e fakte krejt të rreme e të pandodhura, mjafton të quheshin “historianë alternativë”.

Dolën shumë amatorë dhe të zellshëm që ju qepën arkivave dhe nisën botimin e tyre sipas midesë, duke analizuar fakte, personazhe e procese historikë, siç ua donte kokra e qejfit.

E me daljen e “universiteteve kjoska” në vend, këta “studiues” morën dhe tituj shkencorë, ku librat paçavure që botuan, i kthyen në “tema doktoraturash”.

Ky inflacion “historianësh” erdhi edhe si pasojë e një mosbesimi prej një pjesë të klasës së vjetër të historianëve që vinin nga komunizmi.

Megjithëse disa prej tyre, mjaft të përgatitur edhe me bagazh të rëndësishëm, vijojnë e paraqesin arrogancë dhe fodullëk në publik, çka ekziston një grup, sidomos nga shtresa e disidencës në diktaturë, që ende nuk u beson këtyre historianëve.

Të marrim një shembull: mënyra se si e trajtonte profesor Paskal Milo, në debatin e të entjes në ABC, divergjencën me prof. Ana Lalaj, ra në sy pikërisht për këtë fenomen, të “superioritetit” apo “arrogances verbale”.

Megjithatë, duhet thënë se një pjesë e brezit të vjetër të historianëve, janë realisht një pasuri shumë e rëndësishme e bagazhit shkencor shqiptar.

Një pjesë e tyre, si profesor Pëllum Xhufi, apo i ndjeri Aleks Buda etj, janë shkolluar në universitetet dhe katedrat historike më të rëndësishme të Europës Perëndimore.

Historia është një shkencë serioze dhe mjaft delikate për të rënë në dorën e diletantëve apo të “studiuesve autodidaktë”, të cilët, botimin e një fejtoni historik në media, e cilësojnë material shkencor.

E në këtë atmosferë erdhëm në atë ç’ka ndodhi këto ditë, kur drejtori i Arkivave të Shtetit, Ardit Bido, këputi një kumbull tek Fevziu, kur i lejoi vetes të vendoste nëse Qemal Stafa mund të quhet martir apo jo.

E siç ndodh tek ne, kur dikujt s’i pëlqen diçka që thotë dikush, nis një fushatë e tërë me rritje tonesh, madje deri në kërcënime verbale e debate, në vend të mbyllej, u hap edhe më keq.

Erion Braçe, numri dy i qeverisë, kaloi edhe më rëndë limitin, duke kërkuar shkarkimin e drejtorit të Arkivave, çka ishte në radhë të parë një sjellje; e pakta jo korrekte nga numri dy i qeverisë, e së dyti i dha statusin e martirit- Bidos, që në fakt nuk e meriton.

E bëri një lloj “qemalstafe” të atyre që kanë inat LANÇ-in e dëshmorët, të cilët i japin zemër Bidos që të vijojë me kumbulla të tilla, siç ajo që hodhi tek Fevziu.

Nëse Erion Braçe do të dojë ta shkarkojë drejtorin e Arkivave, ta bëjë në rrugë ligjore e pa zhurmë, jo me mandata në Facebook, pasi kjo është jo vetëm jo ligjore, por edhe e shëmtuar, dhe hap precedent negativ nga një zyrtar i lartë.

Por përveç Braçes, vijoi një arsenal sulmesh ndaj Bidos, prej emrave e personazheve të njohura në disa media të cilësuara si të majta.

Ata po bëjnë me Bidon, të nëjtën gjë si me Agron Tufën, ku i ndjeri profesor Sabit Brokaj, Spartak Braho etj, e hodhën edhe në gjyq atë, duke i kompletuar siç deshi vetë Tufa, dosjen e plotë për të marrë “azil politik”.

Atij s’i mbeti veçse të largohej në Zvicër e të bënte thjesht aplikimin.

Ka një fenomen tek ne me atë që quhet “mendim ndryshe”, apo të kundërt.

Kur dikush flet diçka që nuk i pëlqen një pjese, apo “prek atë që e quajnë të paprekshme”, bëhet nami; nis dhuna verbale.

Të majtëve po u preke dëshmorët e luftën, nuk durojnë; zënë e shajnë e bërtasin mbarë e mbrapsht, të djathtëve po u shave Sali Berishën të ekzekutojnë me batare sharjesh pafund etj, etj.

Dhuna verbale, si një kulturë e rëndë dhe e shëmtuar që duhet thënë i përket modelit berishian të denigrimit të kundërshtarit, ka vite që sundon në debatin publik te ne, sa i ka lodhur të gjithë.

Nëse dikush ka një mendim apo qëndrim, nuk ka përse të sulmohet e shënjestrohet, mjafton kundërshtimi me fakte e a argumente dhe vetëm kaq.

Megjithatë, një drejtor Arkivash, edhe pse ka një mundësi të artë për të studiuar xhevahiret e kombit e për të mësuar shumë, nuk mund të quhet historian sa hap e mbyll sytë, apo për të marrë autoritetin e Aleks Budës apo Kristo Frashrit, gjigandë që jua kishte dhënë euridicioni i tyre “fuqinë” për të përcaktuar kush është e kush nuk është filan figurë historike.

Shaban Sinani, që ishte para Bidos në krye të Arkivave, i dha publikut disa vepra fantastike nga të studuarit të të fshehtave të historisë, ku dosja për Kadarenë apo dhe libri për hebrejtë e shpëtuar në Shqipëri, janë nga më të njohurit.

Këtë duhet të bëjë Bido, të rrijë sa më shumë në arkiv e të dalë sa më pak në panele; meqë e ka mundësinë, pasi në fund të fundit të bëjë ç’të dojë, është zgjedhja e tij.

Megjithatë, kritikët e Bidos, më mirë të qetësohen dhe t’i kursejnë vendit një “martir” të rremë, se edhe kaq na u bënë shumë… (TemA)