Nga data 1 korrik, austriakët do të munden të frekuentojnë stadiumet, sallat e koncerteve dhe teatrot, pa mbajtur maska. Kancelari Sebastian Kurz ka premtuar një verë shumë pranë normales, por mbetet kusht testimi, vaksinimi ose nëj vërtetim për shërimin nga sëmundja. Ndërkohë pritet të miratohen edhe aktivitetet me më shumë se 500 pjesëmarrës.

“Të mos bëhemi mendjemëdhenj, të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm, veçanërisht duke patur parasysh javët e ardhshme. Numri i infektimeve vërtet mund të rritet për shkak të hapjeve, por vetëm ky fakt nuk është vendimtar. Situata në spitale është e rëndësishme për ne. Përballë përparimeve në vaksinim, megjithatë, nuk pritet që situata të përkeqësohet përsëri. Jam i lumtur që premtimi për një verë përgjithësisht normale po përmbushet.”

Vendimi ka dhënë sinjale tejet pozitive në planifikimet e turizmit të dëmtuar thellësisht në vitin që lamë pas. Ndërkohë pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës, Franca ka përfunduar fazën e parë të koncertit provë ku morën pjesë rreth 5 mijë vullnetarë. Atyre iu kërkua që të mbanin maskën por të mos praktikonin distancimin fizik.

Të pranishmit ishin të moshës 18-45 vjeç dhe pa probleme serioze shëndetësore. Ata u testuan dy herë përpara se të niste koncerti, dhe njëherë në përfundim, ndërsa do të kontrollohen sërish përmes testeve, pas një jave.