Pas një viti e gjysmë, ne kemi filluar të shohim fundin e kësaj tragjedie, tha sot kryeministri italian Mario Draghi, ndërsa bëri thirrje për të vepruar sa më shpejt pasi kriza globale nuk ka mbaruar.

“Kriza globale nuk ka mbaruar, ne duhet të veprojmë shpejt. “Ne, në Europë, kemi filluar të shohim një fund të kësaj tragjedie, por në vendet e tjera nuk është kështu”, deklaroi Draghi në Samitin Global për Shëndeti, të cilin e kryeson së bashku me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Ne duhet të sigurojmë disponueshmërinë e vaksinave në vendet më të varfra”, theksoi ai.

Draghi shpjegoi më pas se “BE ka eksportuar rreth 200 milionë doza të vaksinave antiCOVID-19 në 90 vende, rreth gjysma e prodhimit të saj të përgjithshëm”.

Kryeministri bëri thirrje që të gjitha shtetet duhet të bëjnë të njëjtën gjë, duke hequr ndalimet e përgjithshme të eksportit, veçanërisht drejt vendeve më të varfra.

Në samit ishin të pranishëm krerët e organizatave ndërkombëtare dhe globale të shëndetit, së bashku me krerët e shteteve dhe qeverive të G20-s.

Ai do të mbyllet me miratimin e një “Deklarate të Romës”, që përbëhet nga pesë faqe dhe 16 parime të destinuara për të ndryshuar qasjen e të mëdhenjve të botës në luftën kundër pandemisë.