Presidenti i SHBA Joe Biden ka bërë thirrje për një armëpushim pas tetë ditësh dhune midis Izraelit dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Biden i tha Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një telefonate se SHBA po punon me Egjiptin dhe vendet e tjera në ndalimin e luftimeve. Ai “inkurajoi Izraelin të bëjë çdo përpjekje për të siguruar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm,” tha Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti përsëriti mbështetjen e tij të vendosur për të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur nga sulmet e raketave,” vazhdon deklarata.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën nuk i referohej ndonjë përgjigjeje nga ana e zotit Netanyahu ndaj komentit të Presidentit Joe Biden për armëpushim. Konflikti tani është në javën e tij të dytë dha ka pak shpresë të përfundojë. Izraeli kreu sulme të mëtejshme ajrore në Gaza të martën. Ushtria e saj tha se dhjetëra raketa u lëshuan në territorin e saj brenda natës.

Të paktën 212 palestinezë janë vrarë, përfshirë 61 fëmijë dhe 36 gra, në më shumë se një javë luftimesh, sipas zyrtarëve të shëndetësisë në Gaza. Dhjetë vetë janë vrarë në Izrael, përfshirë dy fëmijë.