Kandidati demokrat Agron Shehaj tha se s’kishte sens që edhe rezultati të mos njihet edhe të shkohet në Parlament, një zgjidhje kjo e Bashës.

“Kush është i bindur që arsyeja e vetme që kemi humbur është blerja masive e votave nuk mund të futet në parlament, por t’u bëjë thirrje demokratëve që parlamenti të mos ngrihet”, arsyetoi ai, duke qenë kundër tezës së Bashës së zgjedhjet u vodhën dhe prandaj PD humbi.

Sipas Shehajt, rivali më i fortë i kreut demokrat, Basha duhej të jepte dorëheqjen, pasi ai ka humbur më 25 prill.

“Lideri duhet të jetë i lidhur me fitoren, nëse nuk fiton duhet të largohet. Sot Basha po kërkon ta kalojë humbjen sikur nuk ka ndodhur asgjë, lidershipi po tenton që të kalojë faktin që demokratët po qëndrojnë në opozitë sikur nuk është një problem, por ky është një problem”, tha politikani i ri vlonjat.