Britania hoqi shumë nga kufizimet e saj të hënën, ndërsa shkalla e infeksioneve ka rënë në nivelin më të ulët që nga gushti i vitit të kaluar. Por megjithatë, ende ekzistojnë shqetësime mbi përhapjen e një mutacioni të ri të virusit që u zbulua fillimisht në Indi.

Turistët e parë britanikë, kanë mbërritur tashmë në Lisbonë të Portugalisë. Ata përfituan nga lehtësimi i kufizimeve të hënën . Matthew Bolden është turist anglez në Portugali.

“Është ndjesi e pabesueshme. Mes njerëzve në plazh, nën rrezet e diellit dhe baret e hapura.”

“Është më mirë se në Anglinë me shi”, thotë një tjetër turist britanik.

Një dyzinë vendesh janë në listën që Britania lejon udhëtimin. Udhëtarët nga vende të tjera, nga pothuajse pjesa më e madhe e Evropës dhe Shtetet e Bashkuara, ende përballen me karantinë të detyrueshme pas mbërritjes në Britani.

Në Britani të hënën hapen dyert për herë të parë këtë vit pabet, restorantet, galeritë e artit dhe teatrot. Në Londër, distrikti i argëtimit “West End” e festoi hapjen të hënën. Simon Thomas, shef ekzekutiv i kazinosë londineze Hippodrome, dha sinjalin e hapjes.

Por jo të gjithë janë entuziastë për ndryshimet. Adam Garret është banor i Londrës.

“Ka të ngjarë që shumica e njerëzve që do të shkojnë nëpër pabe të jenë të pavaksinuar. Duket e rrezikshme.”

Aktorja Gillian Elisa Thoms pajtohet me mendimin.

“Nuk do të më habiste një mbyllje tjetër.”

Shqetësimet e kanë zanafillën tek një mutacion i koronavirusit që ka çuar në rritjen e rasteve në Indi.

Qyteti Bolton është një pikë e nxehtë. Qeveria ka dërguar ekipe të lëvizshme vaksinimi mes paralajmërimit se rritja e infektimeve mund të prishë planet për dhënien fund të kufizimeve muajin që vjen. Matt Hancock është Sekretar i Shëndetësisë së Britanisë.

“Është një garë mes vaksinimit dhe virusit. Varianti i ri e ka bërë virusin më ngjitës. Por vaksinimi do të ofrojë një shkallë më të lartë besimi për tejkalimin e situatës.”

Shkencëtarët thonë se Britania është e përgatitur mirë për hapjen. Profesor Lawrence Young është virolog në Universitetin Warwick.

“Të gjitha të dhënat tregojnë se vaksinimi mund të parandalojë sëmundjen e rëndë të shkaktuar nga ky variant. Mutacioni i ri mund të infektojë edhe të vaksinuarit por nuk rezulton të shkaktojë sëmundje të rëndë. Të dhënat janë ende të pakta për momentin. Por shqetësimi është se kemi një pjesë të madhe të popullsisë të pavaksinuar, kryesisht të rinjtë.”

Disa vende evropiane po zbusin kufizimet e vëna gjatë pandemisë. Turistët po kthehen ngadalë, duke ofruar një dritë shprese për industrinë evropiane të udhëtimeve të goditur rëndë. Shkencëtarët thonë se zbutja e kufizimeve do të çojë në mënyrë të pashmangshme në më shumë infeksione. Por pyetja qëndron se nëse vaksinat janë më të forta se virusi./VOA