Ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi sot në ‘Frontline’ në ‘News24’ se kreu i PD-së, Lulzim Basha ka qenë në dijeni të vendimit të DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Sipas Nishanit, kjo ka qenë edhe arsyeja e afrimit të datës së zgjedhjeve për kreun e PD-së. Mes të tjerash Nishani tha se Basha nuk ka asnjë kontribut në këto 8 vite brenda PD-së.

“Teoria; ‘s’ka më të mirë se Lulzim Basha’, për mua është tezë e sponsorizuar nga Edi Rama. Kjo teza; ‘s’kemi ça t’i bëjmë’, është manipulative. Të pretendosh që të thuash se ‘ska më të mirë se Basha’, nëse dikush më thotë se kjo është një arritje që ai ka bërë në interes të PD, ai s’ka asnjë kontribut. Me çfarë? Me kë ta krahasosh se është më i miri?! Njerëzit duhet provuar, elitat po ashtu. Ka njerëz të tjerë që mund të qeverisin më mirë se Basha, dhe të tregojnë veten e tyre. Lider lind, nuk bëhesh. Kryetar nuk lind, bëhesh. Për mua po, pasi në 8 vite nuk bëri asgjë. Zoti Basha duhet të dalë në opinion publik dhe të bëjë transparencë për këtë gjë. Edhe më parë kjo ‘Berisha ka ndikim te ai; është tezë manipulative, që t’i ikë përgjegjësisë. Zoti Basha është njohur me këtë tezë dhe është rrahur shpesh me këtë gjë. Asnjë herë zoti Basha s’ka dalë publikisht dhe të demontojë këtë gjë, dhe të thotë; zoti Berisha s’ka asnjë ndikim tek unë. Ka dhe një thashethemnajë se Basha ankohet para diplomatëve të huaj se ka ndikim nga zoti Berisha.”, tha ai.

Duke u ndalur tek vendimi për shpalljen non-grata për Berishën, Nishani tha; “Unë jam shprehur qartë kur më është kërkuar mendim. Kjo është një çështje që zoti Berisha e ka adresuar diskursin drejt zgjidhjes gjyqësore. E ka bërë zgjedhjen e tij. Me rëndësi në këtë çështje janë dy gjëra. Në këtë histori personale me Berishën unë mund të dëshmojë në çdo kohë, se unë kam ndeshur njeriun e ndershëm institucional dhe skam ndeshur kurrë një minimum të korrupsionit. Kjo çështje është një çështje që s’do t’i cënojë kurrë marrëdhëniet SHBA-Shqipërinë. S’kam droje fare. Skam asnjë ndonjë informacion apo indicie. Unë kam kuptuar se zoti Basha ka qenë në dijeni të informacionit, pasi jo pa qëllim afroi jo në mënyrë të pritur datën e zgjedhjeve brenda partisë. Kjo çështje ka krijuar një shok brenda PD. Se mohojmë dot. Pasi Berisha është themelues i PD dhe për të ka ndjeshmëri.”.

Ndërkohë, pyetjes nëse duhet të përjashtohet zoti Berisha nga PD, ai tha se legjislacioni se ndalon.
“Ai e shprehu vetë qartë, i takon atij. S’ka asnjë lloj legjislacioni që ta përjashtojë zotin Berisha. Kjo është zgjedhje personale e tij. Ne duhet ta respektojmë.”, pohoi ish-presidenti.