Bashkimi Europian po përgatitet të izolojë hapësirën e tij ajrore dhe aeroportet për linjat ajrore bjelloruse, pasi një fluturim pasagjerësh midis dy shteteve të BE u devijua me forcë për në Minsk për të ndaluar një gazetar disident bjellorus.

“Kjo sjellje e egër ka nevojë për një përgjigje të fortë”, theksoi presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, duke e quajtur “rrëmbim të shtetit” dhe ”një sulm ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes dhe sovranitetit europian”.

Në një deklaratë të përbashkët të nënshkruar në samitin e Brukselit, udhëheqësit e bllokut udhëzuan zyrtarët përkatës të “marrin masat e nevojshme për të ndaluar linjat ajrore bjelloruse të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të BE dhe të parandalojnë hyrjen në aeroportet e BE”.

Shtetet anëtare kanë bërë thirrje gjithashtu për lirimin e menjëhershëm të gazetarit të opozitës, Roman Protasevich dhe partneres së tij, Sofia Sapega.