Qeveria britanike ka futur Turqinë në listën e kuqe për udhëtimet dhe tani synon që të spostojë nga Stambolli në Londër finalen e Ligës së Kampionëve mes Çelsit dhe Mançester Sitit, që zhvillohet më 29 maj.

Anglia po provon të arrijë një marrëveshje me UEFA-n për të marrë finalen e Championsit. Qeveria e kryeministrit Boris Xhonson ka përfshirë Turqinë në listën e kuqe të udhëtimeve për shkak të situatës epidemiologjike në vend, çka e bën të pamundur praninë e tifozëve të Çelsit dhe Mançester Sitit në Stamboll, në stadiumin olimpik “Atatürk”. Tani objektivi i Londrës është që kjo finale të spostohet në “Wembley”.

“Mund t’u them se Federata Angleze e Futbollit është në bisedime me UEFA-n në lidhje me këtë argument, pra që finalja të luhet në Londër, – ka shpjeguar ministri britanik i transporteve, Grant Shapps. – Jemi gati për të pritur finalen e Ligës së Kampionëve në “Wembley”.

Qytetarët e Britanisë së Madhe që kthehen nga vendet e listës së kuqe duhet të bëjnë një karantinë në një hotel të aprovuar nga qeveria për 10 ditë. Një vendim që e komplikon së tepërmi udhëtimin drejt Stambollit për fansat e dy klubeve finaliste angleze.

Të enjten UEFA garantoi se ndeshja finale do të zhvillohet normalisht në stadiumin e programuar, por tani gjërat mund të ndryshojnë. Nëse konfirmohet spostimi i finales në Londër, për qytetin turk do të ishte zhgënjimi i dytë i madh. Stambolli duhej të priste finalen e vitit 2020, që më pas u spostua në Lisbonë për shkak të pandemisë.