Padyshim një ndër protagonistët kryesorë të fitores së Juventusit ndaj Interit ishte mbrojtësi Italian Xhorxho Kielini, i cili fitoi penalltinë te goli i parë i bardhezinjve dhe shkaktoi autogol në rastin e barazimit 2-2.

Pas ndeshjes, Kielini foli për mikrofonat e “Sky Sports” duke u shprehur se ishte një rezultat i merituar dhe se nuk kishin vjedhur asgjë.

“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe e vështirë kundër skuadrës më të fortë në Itali. Ne e përballuam mirë, treguam që jemi ekip i bashkuar, nuk vodhëm asgjë dhe e merituam rezultatin.

Unë nuk mendoj se e meritonim të kualifikoheshim dy ndeshje më herët sepse kemi bërë shumë gabime, por do të përpiqemi deri në fund. Le të shohim se çfarë do të bëjnë të tjerët nesër.

Të mërkurën do të luajmë në finalen e Kupës dhe trofetë janë gjithmonë të rëndësishëm. Javën e ardhshme do të bëjëm analizën e plotë”. PANORAMASPORT.AL