Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta ka caktuar datën 18 maj si ditën e përballjes me të. Por deri tani, Meta nuk ka konfirmuar, dhe as mohuar, pjesëmarrjen në mbledhjen që do të zhvillohet pas 5 ditësh.

I pyetur nga A2, nëse do të merrte pjesë në atë mbledhje, presidenti nuk pranoi të komentonte dhe u mjaftua të uronte besimtarët myslimanë për Festën e Fitër Bajramit.

Më 7 maj, 98 deputetë votuan pro kërkesës së mazhorancës për të shkarkuar nga detyra presidentin, me motivacionin se ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës para dhe gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.

5 deputetë votuan kundër, ndërsa 2 abstenuan. Gjithashtu, 97 deputetë votuan pro ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, 6 votuan kundër dhe 1 abstenoi.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kur renditi arsyet se përse kjo mazhorancë duhet të shkarkojë Metën, i bëri thirrje edhe kreut të opozitës, Lulzim Basha, që ta mbështesë këtë nismë.

Ndërsa kryeministri Edi Rama, ka kërkuar bashkëpunimin me opozitën për zgjedhjen e një presidenti të ri konsensual.