Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ka shpërndarë thirrjen e Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Uashington, që i kërkon autoriteteve shqiptare që t’i sigurojnë votues mundësinë për të votuar të lirë nga frikësimi dhe dhuna më 25 prill.

“Ne i nxisim autoritetet shqiptare të sigurojnë që votuesit janë në gjendje të hedhin votat e tyre të lirë nga mitmarrja, frikësimi dhe dhuna”, thuhet në postimin e tyre.

Ndërkohë, vetë Yuri Kim thekson edhe njëherë mbështetjen e SHBA për shqiptarët, ndërsa shkruan se “miqtë e Shqipërisë në Uashington janë me ju ndërsa votoni”.

Ambasadorja e SHBA ka bërë disa herë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ndërsa sot i bëri thirrje SPAK që të ndjekë penalisht këdo që dyshohet për krime elektorale.

“Ne e nxisim SPAK të ndjekë penalisht ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe. Kjo përfshin ata që merren me blerjen e votës, frikësimin ose nxitjen e dhunës. SPAK po heton në mënyrë aktive krimet zgjedhore”, shkroi më herët sot Yuri Kim.