Nga Adriatik Doçi/ Presidenti Ilir Meta ka disa ditë që zhvendoset nga Vlora në Durrës dhe anasjelltas, në emër të mbrojtjes së votës së lirë, ndonëse sipas të gjitha fakteve dhe precedentëve, simboli i deformimit të votës në Shqipëri, është LSI-ja, pikërisht partia e tij. Përpos rekordeve të blerjes së votave me LSI-në, Ilir Meta ka menaxhuar edhe zgjedhjet parlamentare të 24 qershorit 2001, si kryeministër. Pas zgjedhjeve të 2001, të kontestuara nga Partia Demokratike, Sali Berisha e shpalli Ilir Metën armik të votës së lirë. Sipas Berishës, asokohe kryetar i PD-së, “kryeministri terrorist Ilir Meta dhunoi votën e gjysmë milioni shqiptarëve”. 20 vjet më vonë, Ilir Meta ka nisur një fushatë për mbrojtjen jo vetëm të vota të LSI-së, por edhe të Partisë Demokratike, me miratimin në heshtje të Sali Berishës dhe Lulzim Bashës.

Pas zgjedhjeve të qershorit 2001, Sali Berisha nisi edhe një fushatë ndërkombëtare për denoncimin e manipulimit të zgjedhjeve, sipas tij, nga qeveria me në krye Ilir Metën, me të cilin do të bashkëqeveriste në vitin 2009 deri në vitin 2013, për t’u bashkuar sërish në vitin 2018 deri më sot. Në përfundim të turit ndërkombëtar, në 20 korrik 2011, Sali Berisha deklaronte se “Ne u takuam me shumë personalitete të rëndësishme të OSBE si dhe me personalitete të rëndësishme zyrtare austriake dhe me miq të mi, ku paraqitëm fakte, dokumente për manipulim, dhunën, terrorin policor gjatë zgjedhjeve në Shqipëri”.

Partia Demokratike bojkotoi Kuvendin e ri që u konstituua në shtator 2001, kur Ilir Meta u rizgjodh kryeministër. PD-ja u rikthyer në Kuvend në fund të muajt janar 2002, ku denoncoi sërish vjedhjen e zgjedhjeve nga Meta. Bamir Topi, në atë kohë kryetar i grupit parlamentar të PD-së, lexoi një deklaratë e cila niste kështu: “Me këtë deklaratë, dëshiroj që në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, t’i paraqes sot opinionit publik shqiptar, faktorit politik ndërkombëtar, pozicionin politik të Partisë Demokratike, lidhur me vendimin e saj për hyrjen në Kuvendin e Shqipërisë, pas një periudhe kohore që përkon me denoncimin e zgjedhjeve të qershorit, të dhunuara në tërësi dhe të manipuluara nga maxhoranca aktuale, zotëruese e të gjitha pushteteve në Shqipëri”.

Gjatë gjithë sesionit parlamentar, Partia Demokratike u fokusuar në Kuvend tek vjedhja e zgjedhjeve, duke akuzuar Ilir Metën, edhe pasi dha dorëheqjen si kryeministër në shkurt të vitit 2002. Sali Berisha shprehej se “…dua t’i rikujtoj kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve se ky raport e akuzon drejtpërdrejt Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka shpërndarë mandate në mënyrë të papërshtatshme, pra ka vjedhur mandate, se ka parandaluar zona balotazhesh, se ka përdorur procesverbale që nuk kanë ardhur nga kutitë e qendrave të votimit, por nga Partia Socialiste, se ka kërkuar dhe urdhëruar arrestimin e komisionerëve – dhe të bësh një veprim të tillë, të bësh sikur nuk di, është dy herë më keq– dhe se në zonën 60, në mungesë të 26 protokolleve nga kutitë e votimit, i ka zëvendësuar ato duke fabrikuar së bashku me Fehmi Abdiun në vullnetin politik (se ai është instrument, unë kam bindjen që ai vetëm ka zbatuar porositë) një të shtatën e Parlamentit Shqiptar, duke shkelur çdo parim të barazisë së votës, të barazisë para ligjit, që është një nga parimet më fondamentale të kushtetutave demokratike, që nga kushtetuta e parë e këtij lloji e deri sot”.