Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka reaguar për deklaratën e Xhelal Mziut i cili tha se të gjithë ata që janë të dyshuar për blerje votash do ta pësojnë si i ndjeri Pjerin Xhuvani në Elbasan, që u vra nga shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazmend Bardhi, Arbër Paplekaj, i cili është pjesë e grupit që PD pretendon se ka ngritur për mbrojtjen e votës.

Duke vlerësuar ndjesën e Mziut, ambasadorja theksoi se ngjarja e Elbasanit nuk duhet të përsëritet dhe ditët e grupeve të armatosura me logo partie i përkasin të shkuarës së shëmtuar. Ngjarja e Elbasanit sipas Kim duhet të bëjë që udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta udhëheqin këtë rrugë të Shqipërisë nga e kaluara dhe drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Mirë të shohësh ndjesë të qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar Elbasanit këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet. Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë logon e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët i përkasin të kaluarës – një e kaluar e shëmtuar që të gjithë duhet ta refuzojmë. Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën ose tjetrën palë, për të nxitur emocione në mes të mbështetësve. Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta udhëheqin këtë rrugë të shqipërisë nga e kaluara dhe drejt një të ardhmeje më të mire”, shtoi ajo.

Pasi organizoi dhe drejtoi një tjetër rast pengmarrjeje nga strukturat e armatosura të PD në Maqellarë, Mziu garantoi militantët se kushdo që është i dyshuar do ta pësojë njëlloj si ai i Elbasanit, duke iu referuar Xhuvanit, ndërsa paralajmëroi kështu se kjo ngjarje dhe mund të përsëritej. Por pasi kjo deklaratë u bë virale, ai e fshiu videon në rrjete sociale, madje kërkoi dhe ndjesë duke thënë atë deklaratë e ka bërë për shkak të emocioneve të momentit, duke theksuar se ai është kundër dhunës.