Edhe pse të ardhura nga vende të ndryshme të botës, stjuardezet në Aeroportin e Kukësit do të presin udhëtarët e parë të veshura me simbolet kombëtare. Të veshura kuqezi dhe me qeleshe në kokë, stjuardesa ndodhen në gatishmëri në pritje të udhëtarëve të parë, mes të cilëve është edhe kryeministri Edi Rama.

Dhjetra qytetarë, nga Burreli, Kukësi, Peshkopia si dhe nga Kosova, janë mbledhur ditën e sotme, për të parë inaugurimin e aeroportit të Kukësit. Me daulle dhe plot entuziazëm disa prej qytetarëve thonë se po presin të afërmit e tyre, e ndërsa të tjerë thonë se kanë dalë vetëm për kuriozitet.

‘Jam nga Burreli! Presim nipin tonë që vjen nga Londra! Nuk e dimë se për kë do të votojë ai, por ne kemi 10 vite që nuk e shohim në sy. Do të ketë shumë zhvillim për zonat e veriut në Shqipëri.’- tha një qytetar per report tv

‘Kam ardhur nga Prizreni, për të parë sesi është ndërtuar.’- tha një tjetër.

‘Hallall ja boftë zoti Edi Ramës dhe qeverisë së tij do të ketë shumë zhvillim edhe për zonën e veriut edhe për Kosovën. Me këtë kryeministër zoti ja boftë jetën 1000.’-tha më tej një qytetar.

‘Vijmë nga Peshkopia për inaugurimin e aeroportit më të bukur në vend.’- u shpreh një tjetër.