Nga Farka, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, drejtues i fushatës së Partisë Socialiste për të gjithë qarkun, ka bërë thirrje për të refuzuar ata që nuk dolën nga vilat e tyre multimilionëshe kur ra tërmeti, por bërtasin sot për varfërinë. Bashkë me Mimi Kodhelin kandidaten e kësaj Njësie, Veliaj ka deklaruar se shqiptarët duhet të bashkohen me digën e Edi Ramës, e vetmja barrikadë për koalicionin e llumit që ka mbledhur të gjithë vjetërsirat e politikës, drejtësisë dhe medias.

Kam qenë 178 herë në Farkë për 178 shtëpi që kemi bërë. Kam qenë kur është bërë Parku, kur është mbjellë çdo pemë. Kam qenë qenë kur është bërë autostrada, kur është ngritur Xhamia. Kemi qenë këtu përditë. Ndërkohë, tani që është fushata po kujtohen disa të tjerë dhe nuk po na vijnë nga shumë larg, se të gjithë ata që bërtasin për varfërinë vilat e tyre nga 1-2 milionë euro këtu në Farkë i kanë. Nuk dolën nga rrethimi i vilave këtu në Farkë e Lundër për të dhënë një kuti ushqimesh, për të dhënë një pako ilaçe, për të ndihmuar dikë që të bëjë çatinë. Kjo është diferenca mes dy botëve,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se vetëm Parta Socialiste iu shërben qytetarëve.

“Ne e shohim Farkën si një mundësi për të shërbyer. Ata e shohin Farkën si një mundësi për të shqyer. Kur vjen puna për llokmat e tyre e duan Farkën. Kur vjen puna për të jetuar me oligarkët në këto komplekset e Lundrës e duan Farkën. Kur vjen puna për të krahasuar kush e ka vilën më të madhe, kush e ka makinën më të shtrenjtë, kush ka më shumë pasuri, e duan Farkën. Kur vjen puna për t’u shërbyer banorëve është vetëm Partia Socialiste e Shqipërisë,” tha Veliaj.

Për këtë arsye, kryebashkiaku i Tiranës tha se duhet të bëhemi të gjithë bashkë kundër të keqes. “Luli në Farkë e Lundër me dy vilat e veta. Kunati në Farkë me vilat e veta. Pronarët e lapsexhinjve e kalemxhinjve, këta që medemek kanë rroga gazetarësh minimale dhe s’iu del, me vila nga 1-2 milionë euro prapë në Farkë. Pronarët e televizioneve, deri dje trafikantë droge dhe sot na flasin për realitetet e vështira të Shqipërisë, këtu në Lundër i kanë paratë e drogës, në Farkë banojnë. Edi Rama për ta është diga e fundit që ndalon llumin që të na marrë përpara. Të gjithë hijenat janë bërë bashkë kundër Edi Ramës: llumi i 30 viteve i Saliut; llumi i 30 viteve i Ilir Metës; llumi i atyre që hoqi vettingu dhe që ishin gjithë plepat, ata që sot vijnë dhe kandidojnë prapë në Farkë, ndërkohë që vettingu i ka çuar në SPAK, sepse nuk justifikojnë pasurinë kur ishin prokurorë,” u shpreh ai.

Në fund Veliaj tha se ka vetëm një mburojë për ta, Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë. “Janë bërë i gjithë llumi bashkë, të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që hoqi vettingu, të gjithë politikanët nga Saliu tek Ilir Meta, nga ata që bllokojnë kullën e Rinasit deri tek ata që ndërtojnë kullat e Lalzit, nga ata që bllokojnë vaksinat tek ata që bllokojnë çdo ditë Astirin, projektet tona të mrekullueshme të autostradës, të Unazës së Madhe, nga ata trafikantë droge që sot flasin për media të lirë, nga ata kalemxhinj që nuk justifikojnë dot vilat multimilionëshe këtu në Farkë. Janë bërë gjithë hedhurinat e historisë bashkë. Janë bërë të gjithë njerëzit e diskretituar bashkë. Është bërë e gjithë lista e SPAK-ut bashkë. Është bërë e gjithë lista e OFL-së bashkë. Ka vetëm një digë, ka vetëm një mburojë, ka vetëm një pengesë të fundit për ta, Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë,” e mbylli fjalën e tij përpara banorëve të Farkës Erion Veliaj.