Gëzim Dauti, mjek urgjence në një spital në Izmir u shpreh se pavarësisht rritjes së rasteve në Turqi, vendi nuk ndodhet në situate emergjence dhe spitalet nuk janë tejmbushur. Për “Abc-ja e mëngjesit”, mjeku tha se për shkak të numrit të të infektuarve janë marrë masa të reja shtrënguese siç janë mbyllja totale e shkollave, kafeneve dhe restoranteve.

Ai shpjegoi se mutacioni turk është më pak i rrezikshëm sesa varianti anglez dhe ai afrikano-jugor. “Mutacionet që janë në Turqi nuk janë aq të rrezikshme se ai anglez dhe afrikan, dhe nuk janë aq të përhapura. Është i përhapur mutacioni anglez dhe afrikan. Anglezi po del në pah, por ajo që është më kryesore është që tek moshat e reja është më i rrezikshëm.”, theksoi ai.

Më tej, ai tha se vihet re që numri i të infektuarve është më i lartë në krahasim me numrin e të hospitalizuarve, dhe sipas tij, kjo do të thotë se vaksina ka treguar rezultat përsa i përket këtij aspekti. “Studimet kanë treguar se vaksina nuk është se të mbron 100 përqind nga infektimi, dhe numri i infektimeve të fundit është më i lartë me atë të të shtruarve.

Këta të fundit kanë një përqindje më të ulët. Kjo jep shpresë që vaksina mbron ndaj rasteve të rënda, është faktuar se vaksina mbron ndaj rasteve të rënda.”, theksoi mjeku.