Klubi serb, Crvena Zvezda, është ndëshkuar nga UEFA për fyerjet raciste që ia bëri sulmuesit të Milanit, Zlatan Ibrahimovic gjatë një ndeshjeje në Beograd muaj më parë. Ibrahimovic ishte i ulur në tribunat e Stadiumit të Beogradit si zëvendësues për ndeshjen e Milanit kundër Zvezdës në Ligën e Evropës në shkurt. Ndeshja duhej të luhej pa tifozë në stadium.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale më vonë tregun sesi Ibrahimovic u fye për rrënjët e tij familjare nga Ballkani. 39-vjeçari u lind në Suedi nga prindër prej Bosnjës dhe Kroacisë. UEFA njoftoi se komiteti i saj disiplinor ka gjetur dëshmi se ndaj Ibrahimovicit u bënë thirrje raciste, fyese dhe provokuese.
Zvezda është dënuar me një ndeshje pa tifozë në stadiumin e vet në garat evropiane.

UEFA e gjobiti klubin serb edhe me 25.000 euro për shpërndarjen e mesazheve provokuese. Nuk është e qartë se kush i ka bërë fyerjet drejt Ibrahimovicit, pasi në ulëset kryesore ishin zyrtarët e klubit serbë dhe të ftuarit, edhe pse klubi e ka pasur të ndaluar të shesë bileta për këtë ndeshje.