Nga Plator Nesturi

Ndër temat e diskutuara kur u hartua lista e kandidatëve për Tiranën të Aleancës për Ndryshim ishte dhe fakti i përfshirjes në zonë të sigurtë të kryetarëve të partive aleate. Vendimi i Bashës për t’i futur në zonë të sigurt mandatesh shkaktoi jo pak pakënaqësi tek demokratët, të cilët shihnin se një pjesë e madhe e energjive të tyre në fushatë do të shkonin në favor të aleatëve.

Dhe nuk ishin pak, por 9 kandidatë nga aleatët në listën prej 36 emrash ne qarkun Tiranë. Sot, ndërsa numërohen votat e kandidatëve duket se ka një disproporcion të madh midis kontributit të aleatëve në vota me atë çfarë kanë përfituar. Kështu, nëse mbledhim votat personale e të nëntë kandidatëve nga aleatët ato arrijnë në 27.000, që përthehen në 2 mandate. Ndërkohë, sipas renditjes së emrave që kanë përfituar përfaqësimin në parlament janë 5 mandate nga aleatët.

Në një listë me 15 emra fitues të PD nga 36 që ka qarku i Tiranës, një e treta e fituesve i takon partive aleate. Me këto shifra, ai tren fitoreje që pretendoi PD dhe që do i sillte fitoren rezultoi se ishte me vagona bosh. Aleatët dhanë 2 dhe morën 5 mandate vetëm në Tiranë. Nga ana tjetër, vërehet se asnjë nga kryetarët e partive aleate nuk ka arritur të marrë vota për të dalë deputet. Më i votuari nga aleatët është Idrizi i PDIU me 5900 vota dhe më pas Fatmir mediu i PR me 5200 vota.

Pra edhe dy më të kuotuarti nga kandidatët aleatë nuk do të mund të prodhonte mandate nëse do të konkuronte më vete. Ndërkohë, surprizë jo e këndshmë për Vangje Dulen e PBDNJ i cili ndonëse i pozicionuar në vend të sigurt, i renditur i 11, arrin të mbledhë vetëm 640 vota. Në këtë mënyrë, formula e përsëritur që përdori dikur Berisha në zgjedhjet e vitit 2009 për trenin e madh të aleatëve për të grumbulluar vota, nuk funksionoi në zgjedhjet e 2021, dështim ky që iu paralajmërua Bashës nga shumë analistë që në kohën që shpalli listën e kandidatëve.

Kontributi i aleatëve në 25 prill ishte shumë i pakët në krahasim me çfarë reklamohej. Por ajo që duket se dhemb më shumë tek demokratët është se i kanë dhuruar vende të pamerituara në parlament kryetarëve të pandryshueshëm të partive të vogla.