Kryesocialisti i Vlorës Damian Gjiknuri reagon pas “vulosjes”së fitores nga Partia Socialiste në Qarkun e Vlorës, me 8 mandate. Ai shkruan se ka ruajtur mandatet rekord të fituara 4 vite më parë në këtë qark.

“Faleminderit për besimin! Vlora nuk u ndal. Me përfundimin e procesit të numërimit për forcat politike, konstatoj me kënaqësi se kemi ruajtur numrin e mandateve rekord të fituara 4 vite më parë. Qarku i Vlorës ka përqindjen më të lartë në rang vendi të votave për PS”, shkruan Gjiknuri.

Më tej, drejtuesi i fushatës së PS në këtë qark, ka dhe një mesazh për Ilir Metën, me të cilin pati akuza në distancë gjatë gjithë fushatës.

“Qytetarët e Vlorës, Sarandës, Selenicës, Delvinës, Himarës, Konispolit e Finiqit i dhanë përgjigjen e merituar edhe atyre që provokuan fushatën me deklarata e akuza, duke mos i lejuar të fitojnë asnjë mandat! Vota e marrë është përgjegjësi e shtuar për të punuar edhe më fort për vazhdimin e projektit të transformimit të Vlorës”, përmbyll shkrimin e tij Damian Gjiknuri.

Në këtë qark, Lëvizja Socialiste për Integrim doli pa asnjë mandat deputeti, PS me 8 dhe PD me 4.