Përgjigja imune e nevojshme për të mbrojtur njerëzit nga ri-infektimi me koronavirusin do të studiohet në një test të ri që do të zhvillohet në Britaninë e Madhe. Në këtë studim, do të ekspozohen qëllimisht të rinj të shëndetshëm ndaj një organizmi që shkakton sëmundje në mënyrë të kontrolluar. Këto lloj testesh kanë rezultuar të vlefshme në kuptimin dhe trajtimin e kushteve të panumërta nga malaria te tuberkulozi dhe gonorrea.

Studiuesit në Universitetin e Oksfordit kanë njoftuar se kanë fituar miratimin e etikës kërkimore për një provë të re që përfshin njerëz që e kanë kaluar koronavirusin. Rekrutimi pritet të fillojë në dy javët e ardhshme.

“Qëllimi i këtij studimi është të përcaktojë se çfarë lloj reagimi imunitar parandalon ri-infektimin,” tha Helen McShane, profesoreshë në Universitetin e Oksfordit dhe njëkohësisht drejtuese e studimit.

McShane tha se ekipi do të masë nivelet e përbërësve të ndryshëm të përgjigjes imune të pjesëmarrësve, përfshirë qelizat T dhe antitrupat, dhe më pas do të gjurmojë nëse pjesëmarrësit do të infektohen sërish pasi ekspozohen ndaj virusit.