Sipas një studimi, një dozë e vaksinës Oxford / AstraZeneca ose Pfizer / BioNTech redukton rrezikun e infeksionit nga Covid me dy të tretat. Studiuesit, nga Universiteti i Oksfordit dhe Zyra për Statistikat Kombëtare analizuan rezultatet e testit të koronavirusit të 350,000 personave në Britani midis dhjetorit dhe prillit.

Ata zbuluan se 21 ditë pas dozës së pare, niveli i rrezikshmërisë u reduktua deri në 65%. Rezultatet e publikuara të premten janë të rëndësishme sepse ato demonstrojnë efektin mbrojtës të vaksinave në botën reale kundër variantit britanik.

Vaksinat ishin më efektive kundër rasteve simptomatike sesa asimptomatike, duke ulur nivelet përkatësisht me 72% dhe 57%, krahasuar me personat e pavaksinuar. Një dozë e dytë e vaksinës Pfizer mbron më shumë organizmin, duke bërë që rastet simptomatike të reduktohen në 90% dhe ato asimptomatike në 70%.

Për shkak se vaksina e Oksfordit u miratua dhe filloi të shpërndahej më vonë, është shumë herët për të vlerësuar ndikimin që kanë dozat e dyta. Në shkurt, Autoritetet Shëndetësore në Skoci zbuluan se një muaj pas vaksinimit me Pfizer ose Oxford / AstraZeneca, rreziku i shtrimit në spital nga Covid-19 u zvogëlua deri në 85% dhe 94%.