Drejtuese politike e PS për Qarkun Tiranë, Elisa Spiropali, në një prononcim nga selia rozë duke u prononcuar për rezultatet në qarkun e Tiranës u shpreh se rezultati është një lajm i mirë për çdo shqiptar të majtë apo të djathtë, asnjë sduhet të ndihet i humbur, se me Edi Ramën ka fituar Shqipëria. Spiropali është shprehur se në orët në vijim PS do të ketë edhe mandatin e 19-të në Tiranë.

“Kemi qeverisur ndryshe, dhe sot nuk është vetëm një lajm i mirë projeksioni jonë për 19 mandate në Tiranë, po për të gjithë Shqipërinë. Të gjithë shqiptarët kanë fituar. Jo vetëm ata që kanë votuar. Edi Rama është kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe mandati i tretë i Edi Ramës në kohë pandemie, pas një tërmeti, sfidave të jashtëzakonshme për të kuruar të gjitha plagët e njerëzëve dhe për ti bërë punët mirë, është shpërblyer me votë nga qytetarët.

Nuk ka fituar zhurma, nuk ka fituar buja e portaleve dhe atyre që në katër vjet vetëm kanë bërtitur, janë çjerrë dhe kanë braktisur edhe etikën edhe instituciont. Ka fituar puna, ka fituar qytetaria, ka fituar mençuria e popullit shqiptar dhe të gjithë shqiptarët të majtë e të djathtë, në zona të majta apo të djathta i kanë dhënë një besim të madh Partisë Socialiste dhe Edi Ramës sepse e kuptojnë që e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë.” – u shpreh ministrja Spiropali.