Në të vërtetë duket se nuk ka paqe për Ibrahimoviç, në këtë periudhë. Sidomos në ditët e fundit. Pas dëbimit të çuditshëm me karton të kuq gjatë ndeshjes ndaj Parmës dhe drekës së të dielës së kaluar në një restorant në Milano, në mes të zonës së kuqe, duke thyer rregullat e pandemisë; një tjetër tronditje e mundshme arrin nga Suedia. Në fakt, gazeta “Aftonbladet” raporton se Zlatan ka shkelur kodin e etikës së FIFA dhe UEFA si bashkëpronar i markës së basteve sportive “Bethard.com”, me qendër në Maltë.

Dy organet kryesore të futbollit nuk lejojnë që lojtarët, të cilët marrin pjesë në garat e tyre, të kenë interesa financiare në kompani të këtij lloji. Fakti që Ibra ende zotëron aksione në “Bethard” do të ishte konfirmuar për gazetën suedeze nga CEO i kompanisë, Erik Skarp. Nga verifikimet e mëtejshme duket se kompania “Unknown AB” e Zlatan do të mbante rreth 10% të aksioneve të “Gameday Group PLC”, e cila nga ana tjetër është aksionere e vetme e “Bethard”.

Dhe meqenëse rregullat e FIFA-s zbatohen për të gjitha garat e saj, ashtu siç vepron UEFA, bomber suedez është në shkelje. Kujtojmë se kishte edhe ndeshje të kualifikueseve të Botërorit 2022, në të cilat Zlatan mori pjesë kohët e fundit, i kthyer në ekipin kombëtar, apo ndeshjet e Ligës së Europës. Nëse shkelja konfirmohet, Zlatan rrezikon një gjobë prej rreth 100 mijë eurosh nga FIFA, deri në pezullimin e mundshëm nga të gjitha aktivitetet që lidhen me futbollin për një maksimum prej 3 vitesh.