Përshkallëzohet konflikti mes Ilir Metës dhe ndërkombëtarëve, amerikanët nisin trajnimin final të 28 hetuesve të parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, do hetojnē kokat e korrupsionit në Shqipëri dhe do përgatisin dosjet për llogari të SPAK

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i janë përgjigjur brenda disa orëve dhe në mënyrë spektakolare Ilir Metës, i cili kërcënoi edhe një herë luftë me SHBA-BE në kuadër të përpëlitjeve dhe presionit për të marrë një garanci nga ndërkombëtarët që të mos preket nga SPAK. Disa orë pas shpërthimit të Metës, i cili e konsideroi edhe një herë SHBA-BE si mafie, ka ardhur përgjigja e ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, që njoftoi sot nisjen e trajnimit nga FBI të skuadrës së parë shqiptare të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për të shpartalluar krimin dhe korrupsionin elitar në Shqipëri. Bëhet fjalë për 28 hetuesit e parë të Byrosë së Hetimit, të cilët do të përgatisin dosjet për kokat e politikës shqiptare, për llogari të SPAK. Byroja Kombëtare e Hetimit, vepër e amerikanëve, është makthi më i tmerrshëm i Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të cilët kanë ngritur një pasuri në vlerë miliona euro me para të pista, pasi të ardhurat e tyre të ligjshme nuk mbulojnë as festimin e datëlindjeve të Monikës.

Kjo skuadër është projektuar nga SHBA-BE për të zbarkuar edhe në Gjirin e Lalëzit, simbolit të korrupsionit të politikanëve shqiptarë, por edhe në çdo ambient tjetër publik dhe privat me urdhër të SPAK dhe me miratim të Gjykatës Speciale. Skuadra do të përgatitet intensivisht nga FBI, për goditjen e krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm, Ambasada Amerikane njoftoi: “Urime dhe fat të mbarë burrave dhe grave që përfunduan me sukses procesin rigoroz të aplikimit dhe tani do të fillojnë trajnimin për Byronë Kombëtare të Hetimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin SPAK-un dhe ata që i përgjigjen thirrjes së detyrës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në emër të popullit shqiptar. Presim së shpejti një thirrje tjetër për hetues të BKH-së, për të forcuar më tej këtë institucion të ri”.

Vetëm disa orë më parë, Ilir Meta deklaroi se: “Nëse mafia ndërkombëtare kërkon dhe guxon ta marrë me luftë Shqipërinë, atëherë të jenë të qartë: luftë do të ketë dhe me luftë do t’i përgjigjemi, flakë për flakë”.

Nuk ka dyshim se qëndrimi i ambasadës amerikane është një mesazh shkallmues për Ilir Metën, por edhe për Sali Berishën, të cilët përfaqësojnë frontin kundër reformës nē Drejtësi. Nga ana tjetër, krahas kërcënimeve me luftë nëse merret nën hetim nga SPAK, Ilir Meta po përgatitet për skenarin më ekstrem. Bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi po shet pasuritë e fundit të paluajtshme, duke i kthyer në para, të cilat e ka më të lehtë për t’i shpëtuar nga një sekuestrim i mundshëm. Aktualisht në letra si pasuri të paluajtshme u kanë mbetur vila në Gjirin e Lalëzit dhe një apartament 400 mijë euro. Gjithashtu, fëmijët dhe një pjesë të parave i kanë zhvendosur në Angli./Pamfleti