“Në këtë kohë unë i shoh fëmijët në mëngjes herët kur dalim, ndonjëherë në darkë vonë, Krenin e ka zënë dhe gjumi, por besoj që po punojmë për një gjë të madhe për të gjithë.” Kështu e nis rrëfimin e saj, në një format përtej atij zyrtarit që e shohim përditë, ministrja Elisa Spiropali, e cila fushatën e saj e ka përqendruar të gjithën në Kamëz. Teksa u prezantua nga kryebashkiaku Erion Veliaj së bashku me 4 kandidatë të tjerë të Tiranës, Spiropali tha se ajo që i jep më shumë zemër në këtë fushatë janë vetë njerëzit që takon çdo ditë në terren. “E di ç’më tha dikush në Paskuqan? “Unë jam nga ata që mund të quhet demokrat i flaktë, se gjithë jetën time kam votuar PD-në, por Edi Rama na mundi dhe nuk na mundi me dhunë, por na mundi me punë dhe sa mirë bëri se po fitojmë të gjithë ne bashkë me fëmijët tanë”. Ishte mesazh i fortë: ne punojmë për fëmijët, po punojmë për të ardhmen. Besoj do na ndjekin Eri, do t’i marrim ato 20 mandate në Tiranë,” u shpreh Elisa Spiropali.

Edhe ministri Arben Ahmetaj ka rrëfyer se përtej anës së ftohtë shifrave, qëndron dhe kënaqësia që të japin njerëzit të cilëve iu shërben. “Kemi qenë të tre, ti, Kryeministri dhe unë në Vaqarr, ku i dorëzuam çelësin e shtëpisë një nëne, mosha e nënës sime, rreth 80 vjeç, jetonte me djalin e nusen e djalit, fatkeqësisht të dy me probleme shëndetësore. Ajo nëna qante me lot nga ngazëllimi dhe e them shpesh, kjo është një arsye themelore, fondamentale pse ia vlen të merresh me politikë dhe pse ia vlen të punosh çdo ditë në favor të qytetarëve,” u shpreh Ahmetaj.

Ndërsa Klodeta Dibra, kandidatja e futur për herë të parë në listën e deputetëve, e cila vjen nga një karrierë e gjatë dhe e pasur akademike, ka rrëfyer për publikun një anë jo dhe aq të njohur të të kaluarës së saj. “Unë kam mbajtur bluzën bardheblu të Tiranës, një përgjegjësi e madhe, por përgjegjësia më e madhe sigurisht ka qenë uniforma e kombëtares së Shqipërisë dhe kënaqësia më e madhe ishte kur në çdo qytet dëgjoje dikë që thërriste “Dibra, Dibra”. Sa i përket mbështetjes së madhe që gratë dhe vajzat i japin PS, Dibra, si drejtuese edhe e forumit të gruas socialiste, e ka një shpjegim, por dhe një këshillë për burrat. “Gratë e vajzat janë më të ndjeshme ndaj politikave. Në gjithë këto vite ato e kanë kapur trenin më shpejt. Duhet që edhe burrat t’i hipin trenit dhe të votojnë në datën 25 prill Partinë Socialiste, numrin 12,” thotë ajo. Deputeti i mirënjohur në zonat rurale të Tiranës, Xhemal Qefalia, thotë se do vijojë t’i qëndrojë besnik jetës në fshat, gjë për të cilën, jo vetëm që ndihet krenar, por dhe shumë i bindur që gjithnjë e më shumë prej atyre që jetojnë në qytet do e ndjekin. “Shtëpia ime është aty edhe sot e kësaj dite dhe unë i takoj njerëzit ende te shtëpia. Jam po aty me familjen time, nuk kam lëvizur dhe jam krenar që sot po vini edhe ju tek ne,” u shpreh Qefalia.

Ndërsa Eljo Hyska rrëfen se i duhej të bëhej deputet që në Tiranë të mos njihej më tepër si vëllai i Turit, moderatorit të njohur të televizionit, falë të cilit së shpejti do të marrë dhe “titullin” xhaxha. “Tani për herë të parë në këtë fushatë, Turi ka filluar të thotë “jam vëllai i Eljos”. Pasi më thonin zoti deputet që 26 vjeç, gjëja e dytë me e çuditshme për mua është “xhaxhi Eljo”, por ka filluar më rri mirë,” rrëfen ai.