Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me ministrin për Rindërtim, Arben Ahmetaj inspektuan punimet në lagjen e re “5 Maji”, ku po ndërtohen pallatet për strehimin e të gjithëa familjeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ministri Ahmetaj, njëkohësisht kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, e cilësoi lagjen e re si qendrën e dytë të Tiranës, e cila do të ketë gjithë lehtësirat e nevojshme për banorët. Ai dha lajmin se është projektuar edhe ndërtimi i një rruge, që do lidhë këtë qendër me Bulevardin e Ri të Tiranës.

“Lagjen ‘5 Maji’ do e cilësoja si qendrën e dytë të Tiranës, qytetarët e shikojnë sa shpejt jemi duke ecur. Po ndërtohen tre blloqe të mëdha apartamentesh, ndërkohë po fillon edhe një nga godinat ministrore që do vendoset tek “5 Maji”, dhe qendra e Tatim-Doganave. Gjithashtu, është projektuar edhe rruga rreth 500-600 metra, që e lidh këtë qendër me bulevardin kryesor të Tiranës. Në mars të vitit 2022 këtu do gëlojë jeta e të gjithë atyre familjeve që u dëmtuan nga tërmeti”, sqaroi Ahmetaj.

Kryebashkiaku Veliaj shprehu kënaqësinë se punët në zonën e quajtur Bregu i Lumit, po ecin me shpejtësi, falë punës me tre turne.

“Ditën që familjet do të hyjnë në këto apartamente, me parkim nëntokësor poshtë, ku rrethrrotullimi na çon direkt te Bulevardi i Ri, atëherë zona do të quhet ‘River Side’ e do duket si jashtë shtetit, ndryshe nga konotacioni Bregu i Lumit, të cilin e kemi pasur ndër vite, pasi konsiderohej si pjesa më periferike e Tiranës. Mentaliteti ka ndryshuar aty ku kemi vënë dorë, po ashtu edhe reputacioni i zonës, është rritur vlera e pronës”, nënvizoi Veliaj.

Kur të mbarojë puna, lagjja “5 Maji” do të cilësohet si “sheshi i dytë ‘Skënderbej’”, tha Veliaj. “Pa asnjë ekzagjerim, do jetë sheshi i dytë “Skënderbej”. Pra pikëtakimi ku ndodh jeta, ku ndodh politika, ku ndodhin financat, ku e gjithë zona e “Bregut të Lumit” do kthehet në një park linear me të njëjtën cilësi që kemi punuar edhe te “Pazari i Ri”, edhe te “Parku Rinia”, edhe te parku i liqenit.”

Në fund, kryebashkiaku theksoi se pavarësisht debateve politike, Partia Socialiste do vijojë punën pa e ndalur ritmin, ashtu siç ka bërë gjithmonë. Lagjja e re është projektuar nga arkitekti i famshëm italian Stefano Boeri, e cila po ndërtohet nga themelet për 11 mijë banorë, do të kthehet në një qendër të re policentrike të Tiranës, me një qasje të re të zhvillimit urban, ekonomik e social, me infrastrukturë moderne dhe akses të garantuar në shërbime cilësore publike e private, nga shkollat e kopshtet tek njësitë tregtare, me parqe e mjedise sportive, si edhe institucione shtetërore.