Nga Lorenc Vangjeli

Njëzetë ditë para zgjedhjeve si i komentoni fushatën e dy liderve kryesor Rama dhe Basha?

Kjo është një fushatë atipike, në një kohë atipike dhe me dy personazhe, njëri nga të cilët është totalisht atipik, si i programuar për kohën e instagramit dhe facebook-ut, kurse tjetri është prerja klasike e politikanit të viteve 80-të. Njëri shajak i ashpër me kravatë mëndafshi, tjetri terital i hekurosur dhe i lëmuar si akull. Njëri flet edhe duke fjetur, tjetri fle edhe duke folur. Fushata e dy pretendentëve për kryeministër shkon në logjikën e dallimeve dhe diferencave që ata kanë të dy personalisht dhe nga përvojat e ndryshme me të cilat ata shkojnë tek kutia e votimit. Me tetë vjet qeverisje në kurriz, Rama ecën në territorin e lojës pa të panjohura dhe të papritura. Ai thotë se me të në qeverisje, ndërtohen shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti dhe shpëtohen jetë shqiptarësh nga vaksina kundër Covid-it. Rama pretendon se misioni i tij është ende i pakryer dhe se ka nevojë për kohë shtesë që në tortën që ka gatuar për tetë vjet, të verë edhe qershinë në majë. Një tortë nën qershi që do të dëmtohej seriozisht, sipas tij, nga ardhja e Bashës në qeveri. Nga ana e tij Basha, sidomos ditët e fundit ka nisur të korrigjojë shënjestrën e gabuar që ka pasur kryesisht në dy vitet e fundit të opozitarizmit të tij. Një opozitarizëm reflektiv që rreket të bindë shqiptarët se gjithçka nën qeverisjen e socialistëve është sterrë e zezë. Duke mohuar në bllok pa pohuar asgjë, sipas zakonit të të gjitha opozitave nihiliste në vite, Basha ka rrezikuar të duartrokitet nga militantët, votën e të cilëve e ka pothuaj gjithmonë në xhep, por të shihet me dyshim nga partia e tretë më e madhe në Shqipëri – të pavendosurit – që mendojnë me kokën e tyre. Sikur së paku të mos kishin djegur mandatet, opozita nuk do të lejonte këtë sistem zgjedhor që shmang koalicionet parazgjedhore dhe shuma e votave të saj, do të tejkalonte votat e Ramës. Vetëm ky fakt e mbajti Ramën në lojë dhe madje i ka dhënë mundësinë e dukshme që të qeverisë mbi shumicën e shqiptarëve, edhe nëse merr votat e pakicës së tyre.

Eshtë kaq qesharak kurthi i mohimi total, në të cilin kanë rënë rregullisht të gjitha opozitat në Shqipëri. Të cilat janë refraktare dhe refleksive, të afta të refuzojnë çdo gjë që thotë kundërshtari dhe të pohojnë edhe atë që nuk mendojnë, me kusht që ajo të jetë e ndryshme nga ajo që bën kundërshtari.

Opozitat në Shqipëri, por sidomos opozita radikale e Bashës në veçanti, nuk kanë kuptuar asnjëherë rolin që ka pakica në sistem. Ajo nuk është vetëm për të mohuar, penguar, bllokuar apo bojkotuar. Secila nga këto duhet të jetë përjashtim dhe jo rregull. Çdo njeri do të ngrihej me vrap nga shtrati i spitalit, nëse infermierja në kërkim të damarit për të vënë serumin jetëdhënës, do të shponte pafund krahun e pacientit me agen e saj. Logjika e do që infermierja ta fërkoje disa herë krahun me pambuk e alkool dhe ta ngulë vetëm njëherë dhe me vendosmëri. Këtë të vërtetë të thjeshtë, që e di, por nuk e ka përdorur as vetë, Doktor Berisha do të bënte mirë t’ja rrëfente pasardhësit të tij si eksperiencë të dobishme që të vishej si infermiere. Nuk e bëri. Kush e di se pse nuk e bëri.

Duket se Rama ka zgjedhur anatemimin dhe ironizimi e kundërshtarëve politik ndërsa Basha parashtron programin dhe një lloj injorimi të deklaratave të Ramës. Cili tërheq më shumë elektorat nga kjo formë të bërjes së fushatës?

Dhe njëherë, si përherë, pastaj, Rama ka epërsinë që zgjedh edhe fushën e betejës, edhe mjetet e duelit. Beteja me batuta, tallja, ironia, përqeshja në kufinjtë e diskriminimit të kundërshtarit është ajo çfarë zgjedh ai dhe deri pak ditë më pare, ishte edhe fusha ku e ndiqte pas Basha e të tjerët, me qetësinë e qengjit që zgjat qafën për të mos lodhur kasapin. Në një botë gjithmonë e më sipërfaqësore, me një elektorat që zgjedh të informohet nga titulli dhe jo nga përmbajtja e lajmit, që zgjedh të qeshurën në këtë botë të zymtë përballë edhe të vërtetave të zymta alternative, Rama duket i fituar. Ai ka pasur në gjithë këtë kohë aleancën e paçmueshme që i ka dhënë kundërshtari i tij Basha. I cili, përballë qeverisjes më të hallshme të Shqipërisë që nga epilogu i rrëzimit të komunizmit dhe koha e Luftës në Kosovë, i ka afruar qasjen më të gabuar të mundshme të opozitarizmit të tij në këto dy vjetët e fundit, së paku. Nuk është halli as i gjithë shqiptarëve dhe me gjasë nuk është as shqetësimi i gjysmës së tyre plus një votë më shumë, se çfarë vendi pune do të shënojë mbas 25 prillit në librezë Rama, Basha apo Kryemadhi. Shqiptarët janë në një luftë të dëshpëruar për mbijetesë nën flamurin e zymtë të pandemisë dhe zërat dhe zarat që hiqen si shpresë për ta, janë thjesht rrokullisje zari që i heq zarin shqiptarëve nën depresion.

Kreu i Partisë Socialiste si kalë beteje ka zgjedhur çështjen e vaksinimit masiv. A ka sjellë kjo pikë avantazhi në elektorat apo votuesit tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre?

Absolutisht që është një avantazh për Ramën. Nëse fushata e vaksinimit shkon mbarë, nëse nuk ndodh asnjë e papritur dhe nëse zgjedhjet do të ishin në 25 maj, fjala vjen, me gjasë që për Edin e PS-së mund të votonte edhe Edi i PD-së. Në mënyrën më të habitshme të mundshme, PD-ja kryesisht, u distancua nga ky proces, u kujdes ta sulmonte hap pas hapi çdo hap të Ramës dhe tani duket të shohë se kjo vetëm sa i ka shtuar imunitetin kryeministrit edhe ndaj sulmeve logjike që bëhen ndaj tij. Të gjithë shqiptarët janë aksionerë në secilën dozë vaksine që ka sjellë Rama në Tiranë dhe kanë paguar për çdo krah mjeku, pensionisti, polici e tani edhe gazetari që po shpohet e shpëtohet me to. Por po të dëgjosh artikulimin e opozitës, duket se edhe ageja me gjithë shiringë, edhe vaksina, edhe individi i shpëtuar nga vaksinimi, është vetëm dhuratë elektorale e Ramës. Nder më të madh për të dhe qeder më të madh për veten, zor se mund ta bënte kush tjetër veçse opozitarizmit të kompleksuar shqiptar. Që ngjan gjithmonë si një adoleshent i frustruar që vepron e reagon nën klithmën e hormoneve të moshës dhe jo sipas këshillës së mendjes.

Nga ana tjetër Basha është më i prirur nga entuziazmin me takim gati në formë mitingjesh. A është kjo taktikë elektorale e tij për të krijuar frymën ndryshimi?

Në një kohë normale kjo do të ishte gjetja normale. E mira nga e gabuara, ndodh ndonjëherë që ndahen vetëm nga një gisht largësi, me kusht që gishti të jetë në vendin e duhur. Kjo lloj fushate nuk është e duhura, pikërisht sepse ka gabuar një gisht në kohë. Shqipëria dhe gjithë dynjaja janë nën peshën e pandemisë. Dhe të gjithë ata që e shohin Bashën dhe opozitarët si bomba lëvizëse që mund të infektojnë të tjerët, si hallkë e parë e zinxhirit të transmetimit, janë pjesë e rreth çerekut të shqiptarëve të pavendosur ende. Me një fushatë të tillë stërvit, kalit dhe thërret në betejë militantët, por në rastin më të mire, mban larg ata që do të bënin diferencën. Që do të shtonin një votë opozitare mbi votën pro Ramës. I cili duket se në 25 prill, për një mijë e një arsye do të jetë një gisht mbi Bashën. Fiks aq sa i duhet për të marrë edhe njëherë me qera zyrën e kryeministrit.

(Intervistoi Fernanda Cenko / fjala.al)