Ka nisur kete te premte vaksinimi i gazetarëve të terrenit dhe operatorëve, e pas tyre do të shtrihet nga e shtuna edhe te efektivët e policisë. Këtë e ka bërë të ditur kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një vizite në Berat, teksa ka përsëritur se vaksina kineze është e sigurt, duke sjellë edhe shembullin e vendeve që po e përdorin atë.

“Dua ta përsëris që të mos bjerë askush viktimë e hienave, vaksina kineze është vaksina që kanë preferuar edhe vendet e pasura dhe bëhet në shumë shtete dhe fakti që nuk ka hyrë në Bashkimin Europian nuk ka lidhje me licencën, por ka lidhje me çështje të një natyre tjetër që nuk na interesojnë dhe nuk na prekin. Nesër nis vaksinimi i policëve e gazetarëve të terrenit dhe po bëjmë gati listat për stafet e shërbimeve hoteliere.”

Kryeministri Rama nuk ka kursyer akuzat për opozitën që nuk po respekton masat anti covid gjatë fushatës elektorale, duke shtuar se shmangia e tyre mund të sjellë dëme të mëdha. “Sillen sikur nuk janë në pandemi, sikur janë në kohë normale. Kam shumë frikë se mund të sjellë e gjitha kjo dëme të mëdha në jetë njerëzish.” Ndër të tjera, kreu i qeverisë është ndalur te reforma në drejtësi duke shtuar se është një proces i pandalshëm dhe do të vërë çdo njeri para përgjegjësisë.