Kryeministri Edi Rama ndodhet në qytetin e Gjirokastrës ditën e sotme, ku po zhvillon një takim me banorët e asaj zone, të cilët janë vendosur në distancë me njëri-tjetrin për shkak të masave anticovid.

Ai përmendi investimet e mëdha që po bëhen në porte dhe aeroporte, ku 8 porta hyrëse e dalëse të vendit që do të shumëfishojnë jo vetëm njerëzit por edhe të ardhurat, që do të krijohen nga turizmi.

“Falë investimeve kemi një pellg shumë të madh të lidhur me të gjithë diversitetin e vet me të gjitha relievet nga kaltërsia e detit deri në bardhësinë e majës së maleve për tu ofruar qytetarëve prespektiva të reja ndërsa po dalim nga tuneli i mallkuar i pandemisë. Për tu bërë kampione e Ballkanit edhe në shoqërinë digjitale. Të gjitha këto janë rrugë të nisura, kantiere të hapura, një plan i financuar qeverisës. E patë mbrëmë ne zyrtarizuam nisjen e punës konkrete në kantierit më të madh që do të ketë në vitet e ardhshme, atë të Durrësit. Do të jenë katër porta të tjera hyrëse për të shumëfishuar numrin e turistëve, numrin e njerëzve që do të hyjnë në këtë vend që do të bien në dashuri me ketë vend e do të duan të rikthehen në këtë vend. Nesër në Kukës hapet një port i dytë. Ata që duan të shkojnë në Amerikë të bëjnë fluturime direkte. Janë 8 porta që do të shumëfishojnë jo vetëm njerëzit por edhe të ardhurat, që do të krijohen nga turizmi. E keni dëgjuar që unë kur flas për porte apo aeroporte, ja doli një aty matanë që thotë Rama ik. Vazhdon koncerti në vitin 1936, i njëjti që vazhdon, ai ditëziu plaku i vrerosur i vitit 1936 vazhdon të jetojë si shpirt brenda atyre që se shikojnë dot se përtypin dot simfoninë e punës sonë në të gjithë drejtimet. Që do të mbetet në historinë e këtij vendi si muzika e punës”, tha Rama.