Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ekziston një ndarje shumë më e thellë sesa retorika “unë punoj, ai fle gjumë” kur vjen puna te krahasimi mes mazhorancës dhe opozitës. “Është shumë e thellë ndarja mes nesh dhe atyre që janë shportë karavidhesh, që nuk mund të marrin dot në dorë fatin e vendit, pasi janë po ata me po ato ide me po atë program, me po atë qasje, me po ato bindje”, tha Rama.

Në një intervistë televizive nga Përmeti, Kryeministri Rama tha se ndihet krenar për bilancin e këtyre viteve, i cili është i qartë, i dukshëm në çdo sektor. “Mjafton të marrësh një sektor ta shikosh dhe të shohësh ndryshimin nga nisja e rrugës sonë, deri sot, krahasuar me ditën kur nisëm për të kuptuar që është realisht një ndryshim si nata me ditën”, tha Rama.

“Jemi ende në mes të rrugës sot nuk jemi në kushtet e përfundimit të një mandati normal, jemi në një luftë që nuk mund ta lëmë në mes. Nuk ka asnjë shmangie nga bilanci, asnjë shmangie nga plani i veprimit 2021-2025. E kam thënë dhe e përsëris çdo ditë qoftë çfarë është bërë në një sektor apo një tjetër, qoftë çfarë po bëjmë”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “fakti që ata thonë se para 8 vjetësh ndodhi një aksident dhe populli lajthiti i largoi ata nga qeveria për të kuptuar se ata jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por nuk kanë ndërmend të ndryshojnë”.

“Fushata që ne po bëjmë është parë edhe në vende të tjera që është bërë në kushtet e COVID-it. Një palë infekton njerëz çdo ditë. Larg qoftë të shkojmë drejt skenarit që shkoi Kosova,e cila tani po flet dhe do të rimbyllet për shkak të të dhënave të përkeqësuara në raport me COVID si pasojë e fushatës elektorale të papërgjegjshme. Mali i Zi, i cili ishte një vend me numra shumë të vegjël dhe madje predikonte përmes spoteve elektorale nëpër televizione të mëdha të botës ejani në Mal të Zi se s’ka COVID, u fut në një spirale nga ku nuk po del dot”, theksoi Rama.

Pyetjes se pas dy mandateve qeverisje a ndiheni më të pasigurt dhe në vështirësi për këtë mandat të tretë Kryeministri Rama tha se “unë nuk ndihem në asnjë vështirësi lidhur me njerëzit sepse kam dhënë mishin e shpirtin që nga dita e parë që jam në këtë detyrë dhe nuk kam lënë asgjë pa bërë në raport me çfarë unë kam pasur në dispozicion si energji si përkushtim dhe si durim dhe këmbëngulje. Nuk ndihem në asnjë vështirësi sepse të gjithëve mund tu them me plot gojën si dhe ku ka ndryshuar në raport me 7 vite më parë situata qoftë në aspektin kombëtar dhe lokal, qoftë në aspektin e tyre drejtpërdrejtë , pavarësisht se për disa ka ndryshuar më shumë, për disa më pak, disa e kanë ndjerë më shumë, disa e kanë ndjerë më pak ndryshimin dhe së fundmi unë besoj se çfarë kemi bërë dhe po bëjmë çdo ditë në luftën kundër pasojave të tërmetit dhe në luftën për nxjerrjen e COVID nga jetët tona, është më shumë sesa domethënëse për të kuptuar që këtu nuk ka kohë për eksperimente, s’ka kohë për tu ndalur dhe aq më pak kohë për tu kthyer mbrapsht”.

“Ne jemi në ngjitje si vend, si shoqëri, ngjitja është e vështirë për të arritur majën që i kemi vënë objektiv vetes duhet të kemi shumë këmbëngulje e shumë durim. Shqiptarët e kanë ngrënë më shumë sesa ne atë historinë e tyre kur kanë vajtur pas recetave çudibërëse dhe atyre që kanë ardhur me receta çudibërëse që nga Haxhi Qamili deri tek Sudja dhe Vehbiu. Nuk do ta përsërisin këtë eksperiment dhe në 25 prill PS do të fitojë përsëri”, – tha Rama.

I pyetur a mendon humbjen si opsion Rama tha se “jeta ka brenda edhe mundësinë e dështimit edhe mundësinë e rrëzimit edhe mundësinë e humbjes së një ndeshje gjithmonë, por unë asnjëherë nuk hyj në një ndeshje për të menduar humbjen si opsion, por për të fituar”.

Rama u ndal te oferta ekonomike.

“Biznesi i vogël që e ka taksën zero, TVSH e ka zero pse ta votojë PD që t’i vërë taksë të sheshtë 9 %, mund të ketë plot sipërmarrës të vegjël që janë me PD-në , por nuk besoj që vlen të paguash 9% taksë mbi të ardhurat e tua personale në një biznes të vogël për të çuar Lulin të flejë gjumë në kryeministri. Taksa zero është sot dhe TVSH zero dhe do të mbeten të tilla me Partinë Socialiste deri në 2029, këto janë gjëra konkrete”, tha Rama.

“Përmeti sot është krejt ndryshe nga çfarë ishte 6-7 vite më parë është një qytet i rilindur në kuptimin e plotë të fjalës. Këtu ku jam është një bujtinë fantastike nga një shtëpi e vjetër shumë e bukur, por krejtësisht e rrënuar sot është kthyer në një hotel, nga një shqiptar i kthyer nga emigracioni së bashku me gruan e tij italiane. Ai ka lindur në Përmet e ka kthyer atë rrënojë në një infrastrukturë mikpritje fantastike dhe kështu ka plot rreth e rrotull siç ka dhe të tjera që presin dorën transformuese, në këtë fazë që qytetit i ka krijuar kushtet për të sjellë vizitorë, turistë dhe për të rritur numrin e të ardhurave në mënyrë të vazhdueshme”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për Vjosën.

“Zonë e mbrojtur është një kategorizim që e mbron qartësisht Vjosën nga ndërhyrjet në shtratin e saj, që nuk lejon në asnjë mënyrë ndërtimin e digave për hidrocentrale, kjo është e sigurtë, ndërkohë që koncepti park kombëtar është një koncept që nuk mund të shtrihet dot përgjatë gjithë Vjosës duke kapur brenda edhe qytete, por duhet trajtuar në mënyrë shumë të kujdesshme në sensin e ndarjes qartë midis zonës së mbrojtur dhe zonës park kombëtar në mënyrë që të kemi mundësi që në pjesën e zonës së mbrojtur të stimulojmë agroturizmin, sepse në një park kombëtar është krejtësisht e pamundur të ndërhysh për çfarëdo qoftë, edhe për turizëm, qoftë për aktivitete të tjera, të cilat sigurisht nuk e cenojnë aspak Vjosën vetë”.