Fushata e vaksinimit ka nisur prej ditësh dhe krahas mjekut të familjes, për të lehtësuar regjistrimin e qytetarëve është vendosur tashmë edhe portali e-albania.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot, nga Rrogozhina ku Kryeministri Edi Rama ndoqi procesin e vaksinimit, se tek e-albania, deri më tani janë regjistruar mbi 15 mijë kërkesa për vaksinim.

“Mjekët e familjes po bëjnë një punë shumë të mirë. Por për të gjithë ata që nuk janë kontaktuar ende funksionon portali e-albania ku janë regjistruar më shumë se 15 mijë kërkesa për vaksinim, të cilave po u kthehet përgjigje për vijimin e procesit,” – deklaroi ministrja Manastirliu.

Edhe në Rrogozhinë, vaksinimi ka nisur prej ditësh. Pasi është mbyllur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe mësuesve, po vijohet vaksinimi me grupmoshat 70+. Sot janë planifikuar të vaksinohen mbi 200 të moshuar.

Ministrja Manastirliu siguroi se procesi i vaksinimit “tashmë e ka marrë rrugën e vet dhe nuk do të ndalet”.

Rrogozhina ka përfunduar procesin e vaksinimit të stafit mjekësor dhe arsimtarëve dhe aktualisht vijnë me të moshuarit. Vetë të moshuarit kanë shprehur vlerësimin e tyre për Ramën, duke e falenderuar për përkujdesjen që po i bën popullit ndërsa i urojnë edhe “të shtoftë jetën zoti’.