Nga Vilma Bello

Jemi në mesin e fushatës elektorale e, megjithë të panjohurat e mundshme deri në 25 Prill, ka disa të vërteta, që zor se do të ndryshojnë. Zaten, mbi to mbështetet vetë fushata, i japin asaj fizionominë e një ngjarjeje të jashtëzakonshme. Unë jam e përfshirë në mënyrë të interesuar në fushatë, pa dyshim, por si socialiste e në traditën më të mirë të socialistëve jam e hapur në pikëpamjet e qëndrimet e mia.

Partia Socialiste vjen me përgjegjësinë e një barre të panjohur më parë në historinë e udhëheqjes politike e të ekzekutimit të pushtetit qeverisës. E shtrënguar të përmbushë funksione që normalisht do t’i përmbushte opozita, të përballojë fatkeqësi të rralla e me përmasa dramatike, si tërmeti e pandemia e, njëkohësisht, të arrijë të ruajë kursin e reformave, madje të synojë standarde të reja zhvillimi, Partia Socialiste vjen me një bilanc përgjegjësish dhe projektesh. Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht, ka modernizuar e qytetëruar dukjen, por më shumë e më thellë ka përpunuar strukturën e administrimit të shtetit, natyrën e shërbimeve, ka hedhur farën e normalitetit dhe ka pluguar, edhe me kosto, tokën djerrë të qeverisjeve të mëparshme. Kemi hyrë në një cikël sistemor në të cilin çdo element i strukturës shtetërore po autonomizohet e po kërkon të zhvillohet sipas natyrës së tij; shihni drejtësinë, shëndetësinë, arsimin, rendin e sigurinë, shërbimet në tërësi. Në një mënyrë ose tjetër është kryer një ndërhyrje, përmasat e së cilës do të kuptohen më vonë, qetësisht dhe pa mllefe. Është kryer një ndërhyrje me përfitime të pallogaritshme për të gjithë, që i mbështet e i nxit të gjithë. Hiq dembelët e çdo lloji!

PD ka pritur e pret. E humbi mundësinë e strukturimit të vet në opozitë, sepse e braktisi opozicionin. U mor me llafe dhe hoqi zvarrë mbështetësit e vet, ndërsa u përpoq të heqë zvarrë vendin. E ktheu përgjegjësinë kombëtare e shoqërore për të bërë politikë, në monedhë për të blerë privilegje pa djersë e pa meritë. Iu dha një mundësi e artë të rriste standardet dhe përfundoi në rrugë. Iu krijua hapësira për të shqiptuar alternativën dhe vetëm improvizoi, shpërdoroi kohë, njerëz e mundësi. Përballë një cikli shtetformues me gjithë kompleksitetin e tij, opozita e humbi perspektivën e u katandis në një miks militantësh e veprimtarësh konfuzë. Përballë janë një forcë punëtore, kokulur, e përgjegjshme dhe një lëvizje e pastrukturuar që mbledh ç’të mundet, me këmbët në një taban kulturor të paqartë dhe pa kokë. Kështu po projektohet fushata, nga njëra anë me seriozitetin dhe pjekurinë e socialistëve dhe, nga ana tjetër, me patosin e ngazëllimin e lëvizjes së demokratëve që po rizbulojnë të mirat e pluralizmit, demokracisë e të shtetit të të gjithëve.

Dhe, përtej e përmes fushatës së këtyre zgjedhjeve, qytetarët do zgjedhin duke besuar sërish Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, që ka të vetmin koalicion; me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.