Partia Socialiste e Korçës ka akuzuar Partinë Demokratike lidhur me një incident të ndodhur në fshatin Podgorie.

Në një deklaratë zyrtare zëdhënësja e degës së PS-së theksoi se eksponentë të PD-së provokuan konflikt me simpatizantë të PS-së e shkak për këtë sipas zëdhënëses është ankthi i humbjes.

“Në valën e mesazheve dhe veprimeve të dhunës të nxitura e promovuara nga Partia Demokratike në të gjithë Shqipërinë, mbrëmë eksponentë të kësaj partie kanë provokuar një konflikt me simpatizantë të Partisë Socialiste në Podgorie, siç besoj jeni njohur edhe nëpërmjet deklaratave të tyre. Ankthi i humbjes për ta sa vjen e shtohet, revanshit të tyre me shpifje e baltë i janë shtuar edhe veprimet kriminale të eksponentëve të saj. Partia Socialiste, e bindur në rrugën e saj drejt fitorës së 25 Prillit, i bën thirrje banorëve të Korçës se do të jetë në çdo moment pranë tyre, për të garantuar një proces votimi të qetë, të drejtë dhe demokratik.”

Më tej PS-ja e Korçës i bë thirrje PD-së që të respektojë ligjin e të mos krijojë tensione të qëllimshme e të qëndrojë larg procesit duke mos intimiduar votuesit në asnjë formë.

“I bëjmë thirrje Partisë Demokratike të respektojë ligjin dhe të mos krijojë tenisione të qëllimshme dhe të panevojshme. Të qëndrojë larg procesit të votimit dhe mos intimidojë votuesit në asnjë formë.

Nuk iu imponoheni dot qytetarëve me modele huliganesh që dalin dhe xhirojnë gomat e makinave pa targa dhe bërtasin në rrugë, kjo kohë ka marrë fund prej dekadash këtu në Korçë. Mos e bëni pis Korçën me sjellje të tilla, mos bëni pis procesin zgjedhor sepse jeni në Korçën e qytetarisë. I bëjmë thirrje simpatizantëve të Partisë Demokratike të distancohen nga sjellje të tilla, të mos përdoren si mish për top nga ata që edhe në deklaratë e thonë hapur se janë gati të përdorin çdo mjet për të marrë pushtetin me çdo kusht.” – vijon deklarata.

Në fund PS-ja paralajmëron se përgjegjësia para ligjit është personale duke theksuar se zgjedhjet do jenë të lira e të qeta.

“Ju kujtojmë se përgjegjësia e sjelljes suaj përpara ligjit është personale, askush nuk mund të dalë mbi të e askush nuk mund t’u mbrojë dot sot apo nesër, as ata kandidatë të marrë që iu venë flakën me premtime absurde. Sigurojmë çdo banor të Korçës që zgjedhjet do të jenë të lira, të qeta, konform çdo rregulli ashtu sikurse i ka hije Korçës. Faleminderit!” – mbyllet deklarata.