Policia ka nisur procesim penal në gjendje të lirë në ngarkim të kandidatit të PD për deputet në Dibër, Xhelal Mziut, pas deklaratës së rëndë që bëri një ditë më parë në Maqellarë, ku bënte thirrje për dhunë, ndërsa më pas u pendua dhe kërkoi ndjesë publikisht për të.

Materialet ndaj tij janë referuar në Prokurori për veprën penale të “thirrjes për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

“Nga Oficerët e Policisë Gjyqësore në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër ka filluar procedimi penal dhe materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprën penale “Thirrjet për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”, në ngarkim të shtetasit XH.M, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike në qarkun Dibër.

Kjo pasi gjatë një takimi elektoral në territorin e bashkisë Dibër, shtetasi XH.M, ka kërcënuar dhe ka bërë thirrrje për të nxitur dhunë duke bërë prezenet ngritjen e grupeve të gatshme me pretendimin e mbrojtjes së votës.

Policia e Shtetit thekson edhe njëherë faktin se asnjë subjekt politik, organizatë apo individ nuk ka të drejtë të krijojë struktura paralele duke marrë atributet e Policisë së Shtetit dhe për këtë do të ushtrojë kontrolle të imtësishme në territor duke kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të këtyre strukturave të paligjshme që kryjnë veprime duke cënuar ligjin dhe të drejtat e liritë themelore të qytetarëve.’- njofton policia.

Kujtojmë që Xhelal Mziu nga Maqellara bëri të ditur se janë ngritur grupet e gatshme të mbrojtjes së votës dhe se kushdo që do tentonte sipas tij të blejë votën do ta pësonte si “ai në Elbasan”, duke iu referuar konfliktit që degjeneroi në vrasjen e përkrahësit të PS-së, Pjerin Xhuvani.